Shpërthim në Nashville. Policia: Ishte akt i qëllimshëm

Autoritetet amerikane besojnë se një shpërthim që tronditi zonën në qendër të qytetit Nashville mëngjesin e Krishtlindjes ishte një veprim i qëllimshëm.

Zëdhënësi i policisë së qytetit Nashville të shtetit Tenesi tha se nga shpërthimi që ndodhi në orën 6:30 të mëngjesit u thyen xhama dhe u dëmtuan ndërtesa. Autoritetet besojnë se në shpërthim ishte i përfshirë një automjet. Policia tha se tre njerëz u dërguan në spital, asnjëri prej tyre në rrezik për jetën.

Policia tha gjithashtu se ka nisur një hetim në shkallë të gjerë.

Zona ku ndodhi shpërthimi është e mbushur me bare, restorante, dyqane të vogla dhe njihet si zemra turistike e qytetit.

Disa dëshmitarë thanë se zhurma e shpërthimit ishte e fortë dhe ndërtesat përreth u tronditën. Veç kësaj, u panë katër automjete në flakë ndërsa pemët në vendin e ngjarjes u shkatërruan.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Donald Trump është informuar për shpërthimin në Nashville dhe se do të vazhdojë të marrë përditësime të rregullta.

LEXO EDHE:

Back to top button