“Shporta e Vitit të Ri”, qytetarët ankesa për rritje çmimesh /Autoritetet mohojnë të jenë bërë manipulime

“Shporta e Vitit të Ri”, qytetarët ankesa për rritje çmimesh /Autoritetet mohojnë të jenë bërë manipulime

Gazetare: Ajnur Bafqari

Inspektorati Shtetëror i Tregut ka konstatuar vetëm disa parregullsi sa i përket mos respektimit të masës së qeverisë “Shporta e Vitit të Ri”.

“Përveç vërejtjeve të vogla, në kuptimin e shënimit të duhur nëpër prodhime dhe korrigjimet e vogla të çmimeve te dy-tre subjekte tregtare, në përmasa më të mëdha nuk janë vërejtur parregullsi. Mund të konkludoj se tregtarët, respektivisht të gjithë aktorët në këtë proces e respektojnë marrëveshjen”, deklaroi Vllatko Stojkoski, Drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Tregut.

Edhe përskaj ankesave të qytetarëve për rritje artificiale të çmimeve të produkteve, vetëm pak ditë para hyrjes në fuqi të aksionit “Shporta e Vitit të Ri”, inspektorati njofton se nuk kanë pasur vërejtje në këtë drejtim. As ministri i Ekonomisë, nuk beson të ketë manipulime të tilla me çmimet, pasi siç tha, iniciatorë të këtij aksioni, ishin vetë tregtarët, prodhuesit dhe shpërndarësit.

“Besoj se nuk ka manipulime të tilla, pasi vetë tregtarët, prodhuesit dhe shpërndarësit, vetë ata kanë qenë iniciatorë, vetë ata i kanë propozuar këto artikuj dhe nuk shoh arsye pse të ketë manipulime. Por në bazë të ligjit dhe në bazë të përgjegjësive që i ka Inspektorati Shtetëror i Tregut, do të veprojë edhe në qoftë se has ndonjë manipulim të tillë, por nuk besoj që nuk ka”, tha Besar Durmishi, Ministër i Ekonomisë.

Në “Shportën e Vitit të Ri” janë përfshirë 95 tregtarë, 42 rrjete marketesh, dhe mbi 1100 produkte. Produktet e shportës nga data 15 dhjetor deri më 15 janar, do të shiten me çmime minimum 10 përqind më të lira. Autoritetet bëjnë thirrje për respektim të masës, ndërsa ftojnë qytetarët që të paraqesin çdo parregullsi të mundshme. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button