Shqetësues migrimi i të rinjve nga vendi, shkak papunësia dhe jetesa e vështirë

Shqetësues migrimi i të rinjve nga vendi, shkak papunësia dhe jetesa e vështirë

Gazetare: Ilmie Zhaku

Migrimi I të rinjve nga Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë një fenomen shqetësues, I ndikuar nga faktorë të ndryshëm ekonomikë, socialë dhe politikë. Shumë të rinj largohen në kërkim të një jete më të mirë, ndërsa të tjerë synojnë arsimim dhe zhvillim profesional jashtë vendit. Sociologu Denis Raufi, I ftuar në emisionin Ftesë në Studio në Alsat, theksoi arsyet kryesore të këtij fenomeni dhe ndikimin e tij në shoqëri.

“Papunësia është një nga faktorët që bën që shoqëria dhe njerëzit të dëshpërohen nga një sistem I caktuar. Fatkeqësisht, sistemi jonë e sjell shumë në pah këtë dhe për këtë arsye të rinjtë përpiqen të dalin nga vendi dhe të kërkojnë një mënyrë më të mirë pune dhe jetese,” tha sociologu Deniss Raufi, duke theksuar se mungesa e mundësive ekonomike është një ndër arsyet kryesore të largimit të të rinjve.

Përveç faktorëve ekonomikë, një rol të rëndësishëm luajnë edhe aspektet sociale dhe politike. Shumë të rinj largohen për t’u bashkuar me familjarët që jetojnë jashtë ose për të përfituar nga sistemet më të zhvilluara arsimore dhe infrastruktura më e mirë e vendeve të huaja.

“Jo vetëm Maqedonia, por I gjithë Ballkani është një rajon jo stabil për jetesë. Shpesh ndodhin trazira për arsye të vogla dhe kjo I bën njerëzit të ndihen të pasigurt. Përveç kësaj, edhe mungesa e shërbimeve publike dhe infrastruktura e dobët janë faktorë që ndikojnë në këtë fenomen,” u shpreh Raufi.

Raufi theksoi se migrimi ka ndodhur gjithmonë dhe do të vazhdojë të ndodhë, pasi disa largohen nga nevoja dhe disa nga dëshira për të provuar diçka të re. Megjithatë, për të frenuar këtë trend dhe për të krijuar kushte më të mira për të rinjtë, nevojiten masa konkrete për përmirësimin e ekonomisë, stabilitetit politik dhe cilësisë së jetesës në vend. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button