Shqipëri, 15 viktima dhe 448 raste të reja me virusin korona

Në Shqipëri në 24 orët e fundit janë regjistruar 15 të vdekur dhe 448 raste të tjera pozitive me Covid-19. Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në vend që nga fillimi i pandemisë është rritur në 122.295, prej të cilëve 2.171 persona kanë vdekur.

Në orët e fundit janë shëruar 696 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 87.193 dhe raste aktive aktualisht janë 32.931. Institucionet shëndetësore kanë kryer edhe 2.475 testime të tjera, ndërsa që nga fillimi i pandemisë janë kryer gjithsej 539.438 testime për personat e dyshuar për COVID-19.

Ndërkohë, që nga fillimi i vaksinimit në janar janë kryer 53.992 vaksina për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.

Masat mbeten në fuqi për dy javë

Sipas ministrisë, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të mbeten në fuqi të njëjtat masa për kufizimin e përhapjes së COVID-19 edhe për dy javët e ardhshme.

Do të vazhdojë të mbetet në fuqi kufizimi i lëvizjes së qytetarëve dhe aktivitetit të bareve dhe restoranteve nga ora 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit, ku do të lëvizet vetëm për emergjenca shëndetësore ose për emergjenca pune.

Gjithashtu do të vazhdojë mësimi online në universitete dhe pezullimi i fluturimeve me Britaninë e Madhe.

Vazhdon të mbetet në fuqi edhe ndalimi i grumbullimeve me më shumë se 10 persona.

LEXO EDHE:

Back to top button