Shqipëri/ Atentat pronarit të kompanisë së inerteve – Plagoset 51-vjeçari, vritet gabimisht ekonomisti
Shqipëri/ Atentat pronarit të kompanisë së inerteve - Plagoset 51-vjeçari, vritet gabimisht ekonomisti

Ardjan Gjeloshi, pronar i një firme të përpunimit të inerteve në fshatin Gurëz të Kurbinit, mbeti i plagosur në një atentat ndaj tij mëngjesin e kësaj të shtune.
Fatkeqësisht nga breshëria e plumbave që ranë mbi zyrën e tij humbi jetën ekonomisti i kompanisë Selman Mihana 70 vjeç.
Policia konfirmoi se shënjestër ishte 51-vjecari që u transportua në Spitalin e Traumës ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se autorët e kanë pritur objektivin në vendin e punës dhe më pas kanë hapur zjarr nga jashtë saj.
Në vendin e ngjarjes u gjetën rreth 20 gëzhoja kallashnikovi. Hetuesit janë duke verifikuar konfliktet e mundshme të pronarit të kompanisë.
“Kemi ndihmën e Departamentit të Policisë Kriminale, jemi në veprimet e para. Autorët mendohet se kanë lëvizur me një mjet, po hetojmë mosmarrëveshjet që ka pasur objektivi, pronari i firmës”, tha zv/drejtori i Policisë së Lezhës.
Menjëherë pas ngjarjes, policia rrethoi zonën dhe po kryen kontrolle me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në ndihmë të policisë së zonës shkuan edhe forcat RENEA nga Tirana.