Shqipëria nuk pajtohet me BE-në për Kosovën, Rama: Deklarata e Borrell nuk i përgjigjet realitetit
Shqipëria nuk pajtohet me BE-në për Kosovën, Rama: Deklarata e Borrell nuk i përgjigjet realitetit

Kryeministri Edi Rama ka komentuar vendimin për të dalë në kundërshtim me një deklaratë të politikës së jashtme të BE-së, sa i përket situatës së Kosovës dhe Serbisë.
“BE-ja të vërë alarmin në nivelin më të lartë. Të përdorë të gjithë instrumentet në dispozicion për t’i kthyer mesazhin e duhur, këtij mesazhi krejtësisht të paparanueshëm që vjen nga shpallja e zisë kombëtare në Beograd. Derisa të ketë një deklaratë të dytë për të vendosur me drejtësi një gjykim për ditët e fundit, ne nuk do të linjëzohemi me deklaratën e parë. Në këtë pikë, linja jonë është 100 për qind e BE-së, por është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës dhe me atë që ka ndodhur në Beograd”, ka shtuar Rama.
Burime pranë qeverisë zbulojnë se ka qenë pikërisht deklarata e shefit të politikës së jashtme të Unionit, Joseph Borrell, që i trajtonte të dyja palët njësoj, çfarë ka sjellë edhe mospajtimin e Tiranës zyrtare, e shprehur kjo në rrugë diplomatike.