“Shqipja”, i tërë ligji në shënjestër të 13 iniciativave që përfshijnë 46 subjekte denoncuese
"Shqipja", i tërë ligji në shënjestër të 13 iniciativave që përfshijnë 46 subjekte denoncuese

Gazetar: Suad Bajrami
ALSAT zbardhi rendin e ditës të përcaktuar paraprakisht nga Gjykata Kushtetuese për nisjen e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, e caktuar për më 11 dhjetor. Nga dokumentet publike tashmë dallohet qartë se i gjithë ligji, qoftë në tërësi apo në pjesë të veçanta, me të gjitha nenet e tij, është në shënjestër të 13 iniciativave që përfshijnë 46 subjekte denoncuese.
Të kontestuara:
Dekreti i shpalljes
Emri i ligjit
Ligji në tërësi
Ligji në pjesë të veçanta në të 25 nenet e tij, konkretisht neni 1 (paragrafi 2, 3, dhe 4), si dhe gjithë nenet në plotësi, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11, 12, 13, 14, 15, 16, 17, 18, 19, 20, 21, 22, 23, 24, 25
Nga kjo, vihet re qartë se e vetmja gjë e pakontestueshme është paragrafi 1 që thotë: Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik.
Denoncuesit kontestojnë procedurën e miratimit të ligjit, asokohe i miratuar me lexim të tretë për shkak të mosdekretimit nga presidenti Ivanov, si dhe që Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi ka shkelur rregulloren pasi nuk i ka kërkuar propozuesit të harmonizonte hyrjen e propozimit të ligjit me rregulloren e Kuvendit, por e ka dorëzuar atë te deputetët ashtu siç ishte.
Gjithashtu, Xhaferi, sipas denoncueseve ka shkelur rregulloren duke shmangur shqyrtimin e ligjit nga komisionet amë, ai për Financa e Buxhet, ai për Sistem Politik, Komiteti për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive si dhe Komisioni Ligjvënës-Juridik.
Shkelje sipas denoncuesve është edhe që; Ligji nuk është miratuar me shumicë prej 2/3-ash.
Ndërkaq, shpallja e dekretit të ligjit pa nënshkrimin e presidentit Ivanov është antikushtetuese, sipas tyre.
Sa i përket përbërjes ligjore, paragrafi 2, 3, dhe 4, i të njëjtin nen 1, dhe pastaj, çdo nen nga 25 nenet që ka gjithsej ky ligj, kontestohen.
Sa i përket emrit të ligjit, kontestohet se ai nuk ka qenë preciz dhe ka krijuar konfuzion juridik.
Ndërsa, sa i përket emrit të gjuhës shqipe në kllapa, është përdorur term i cili nuk qëndron në Kushtetutë.
Për sa i përket përdorimit institucional, kontestohet sepse sipas iniciatorëve, bie ndesh me amendamentin 5 dhe një sërë amendamentesh të tjera pasuese.
Kontestohet përdorimi në librat amë, dokumentet personale e pasaportat, në të cilat nuk precizohet përdorimi i gjuhës për komunitetet e tjera.
Po ashtu, në këto iniciativa kontestohet edhe ekzistenca e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, pasi sipas tyre përjashtohen komunitetet e tjera përveç atij që përkufizohet si gjuha tjetër që e flasin 20%-i në kllapa, (gjuha shqipe).
Në kontestim vihen të gjitha organet që në bazë të nenit 23 obligohen të zbatojnë dispozitat e këtij ligji, në rast të mosharmonizimit me dispozitat gjuhësore nga ndonjë ligj tjetër, pa u precizuar cilat janë ato dispozita që duhet të harmonizohen. Kjo sipas tyre bie ndesh me nenin 8 të kushtetutës.
Por cili do të jetë fati i ligjit për përdorimin e gjuhëve? Nëse, sikurse paralajmërohet në bazë të konkluzioneve të viteve 2022-2023 që për këtë ligj nevojitet përbërja e plotë e Gjykatës në të do të mungonte qoftë edhe një gjykatës, atëherë, ai do të bllokohej. Por, një gjë e tillë, do të hapte një mundësi të re, sipas kreut të Kushtetueses, Darko Kostadinovskit, ndryshimin e konkluzionit me qëllim të shmangies së bllokadës.
“Nuk dua të besoj në skenarë të tilla. Nuk dua të besoj. Gjithmonë ka dalje. Atëherë, Gjykata do të miratojë konkluzion të ri, në të cilën do të vendoset. Pra, nuk mund të bllokohet puna e Gjykatës”, deklaroi Darko Kostadinovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Por, në rast, si të pjesëmarrjes ose edhe jo pjesëmarrjes së gjykatësve shqiptarë, midis dy fazave, atë të nisjes së procedurës për shqyrtim, si dhe vlerësimit të kushtetutshmërisë, Gjykata Kushtetuese ka edhe instrumentin e dërgimit të ligjit në Institucionin Ligjvënës, i cili në afat prej 6 muajve, do të duhet të harmonizohet me Kushtetutën. Por, bazë ligjore për këtë trajtim, është Badenteri, për të cilin duhet të kenë pajtim të gjitha partitë shqiptare, në kuvend. /Alsat.mk