Shqiptarët, një shembull unik për tolerancën fetare
Shqiptarët, një shembull unik për tolerancën fetare

Gazetare: Ilmie Zhaku
Toleranca fetare ka qenë gjithmonë një nga vlerat më të rëndësishme të shqiptarëve, duke u trashëguar brez pas brezi si një shembull i harmonisë dhe respektit mes komuniteteve të ndryshme fetare. Pavarësisht ndryshimeve në besim, shqiptarët kanë arritur të ruajnë unitetit. I ftuar në emisionin Ditë e re në Alsat, gazetari Simon Shkreli theksoi se historia ka treguar se feja nuk ka qenë kurrë një faktor ndasie mes shqiptarëve, por përkundrazi, ata kanë bashkëjetuar në harmoni dhe respekt të ndërsjellë.
“Pavarësisht pushtimeve të ndryshme që kemi pasur nga ndonjë fqinj apo tjetër dhe ndryshimeve që i kemi pranuar në fe, këto nuk kanë ndikuar në raportet mes shqiptarëve, sepse ka qenë diçka më e fortë, gjuha shqipe, që ne e flasim të gjithë, por edhe traditat dhe zakonet. Po të shkosh në një familje myslimane në Shkodër, në një rast gëzimi apo hidhërimi, janë po të njëjtat tradita që i ka një i krishterë apo ortodoks,” u shpreh Simon Shkreli, gazetar.
Ai vuri në dukje se një nga karakteristikat e shoqërisë shqiptare është pikërisht fakti që njerëzit i respektojnë dhe i festojnë së bashku festat fetare të njëri tjetrit, duke forcuar edhe më shumë ndjenjën e bashkësisë.
“Kjo fjala tolerancë nuk më bën fare përshtypje, se ne si shqiptar jami shembull përsa i përket bashkësisë së komuniteteve të ndryshme fetare. Në Shkodër kemi mysliman, katolik dhe ortodokt por asnjëherë nuk është ndier një ndasi, ne festojmë dhe festat bashkë”, theksoi Shkreli.
Në një kohë kur në shumë vende të botës ekzistojnë konflikte të shkaktuara nga ndasitë fetare, modeli shqiptar i tolerancës është një shembull i çmuar që duhet ruajtur dhe promovuar. /Alsat.mk