Shqiptarët shënojnë ditën e flamurit dhe 111 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë

Shqiptarët shënojnë ditën e flamurit dhe 111 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë

Gazetare: Xhesika Salahi

111 vite Pavarësi për Shqipërinë që nga 28 nëntori i 1912. Homazhe, nderime, parada dhe atmosferë festive ka në mbarë trevat shqiptare dhe jo vetëm. Si çdo vit, Pavarësia përkujtohet me krenari e patriotizëm nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

Sot në Vlorë u mbajt ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit, ku pjesëmarrës ishin presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla.

Albin Kurti, nëpërmjet një deklarate ka uruar Pavarësinë e Shqiptarëve.

“Gëzuar të gjithë shqiptarëve 28 nëntorin. Këtë festë të madhe të flamurit dhe lirisë së Pavarësisë dhe bashkimit për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, kudo që janë në Ballkan dhe në mërgatë, në botë. Lavdi dëshmorëve të kombit, sot është ditë pushimi dhe feste dhe çdo ditë tjetër duhet të punojmë për idealet dhe synimet e Skënderbeut nga Kruja, e Ismail Qemalit nga Vlora dhe të Adem Jasharit nga Prekazi”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministri i Kosovës.

Ndërkohë Edi Rama, përveç urimit për Pavarësinë, nëpërmjet një postimi në fejsbuk, ka kujtuar gjithashtu 68 vjetorin e lindjes së heroit legjendar Adem Jashari.

Politikanët janë bashkuar në mesazhet e tyre drejtuar kombit shqiptar me rastin e 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ndërkohë, urimet kanë qenë të shumta edhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë, kryebashkiaku i Nju Jorkut, NATO e Google. Përmes një postimi në Facebook, NATO ka publikuar fotografinë e një ushtari i cili mban në duar flamurin kuqezi.

Ndërkaq në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ka filluar parada e 111 vjetorit të Pavarësisë, e frymëzuar nga iniciativa e diasporës shqiptare, ku është traditë në Nju Jork. Nga sheshi “Skënderbej”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi shqiptarët 111-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë.
“Sot jemi duke jetuar ditët tona më të mira. Kombi ynë nuk ka qenë kurrë më i begatuar, kurrë më i prosperuar, kurrë me kaq progres dhe kurrë më i lidhur me njëri-tjetrin sa që jemi sot”, tha Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë Tiranë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button