Shqiptaro-amerikania LGBT: Ja si i fitova betejat për të qenë vetvetja

Qershori është muaji kur anëtarët e komunitetit LGBT shpalosin krenarinë e tyre për atë çka përfaqësojnë teksa bëjnë thirrje për dinjitet e barazi. Materiali në vazhdim na njeh me historinë e Ria Demirit, një shqiptaro-amerikaneje së cilës iu deshën vite të ngrihet mbi stigmën shoqërore, për të qenë vetvetja. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” influencuesja 34 vjeçare, me mbi 1 milion ndjekës në rrjetin social TikTok dhe mbi 300 mijë në Instagram, flet mbi përvojën e saj, nga martesat e detyruara, tek zgjedhja për të qenë e lumtur. Me Ria Demirin bisedoi kolegia Menada Zaimi.

 

Si shumë përfaqësues të komunitetit LGBT, Ria Demiri u është bashkuar thirrjeve për dinjitet dhe barazi, në atë që njihet si Muaji i Krenarisë. Por për 34 vjeçaren nuk ishte e lehtë të mbërrinte deri këtu.

U deshën rreth 28 vjet e dy divorce që ajo të dilte hapur. Sfida më e madhe për të ishte familja.

 

Ria Demiri, ishte vetëm dy vjeç kur prindërit e saj u zhvendosën nga Struga e Maqedonisë së Veriut, në Shtetet e Bashkuara. Ajo ishte vetëm pesë kur nisi të kuptojë se nuk ishte ajo që prindërit i kishin mësuar si normale.

 

Isha e hutuar, nuk e kuptoja pse në moshën pesë vjeç mua më pëlqenin vajzat dhe jo djemtë. Preferoja të luaja me djemtë, por kurrë nuk zhvillova ndonjë ndjenjë për ta. Nuk fola kurrë për këtë gjë me prindërit e mi, t’i pyesja pse ndihesha ashtu. Dija që ishte diçka e gabuar, pasi nga mënyra se si isha rritur në shtëpinë time më bënte të kuptoja se nuk ishte diçka normale”.

 

Dhe kjo do ishte mënyra se si ajo do të rritej. Ria thotë se nëna e saj u përpoq shumë ta ndryshojë.

 

Nëna ime gjatë gjithë kohës bënte gjëra të cilat më krijonin shumë çoroditje. Më çonte tek ndonjë imam apo tek hoxha. Provonte të më “rregullonte”… Unë nuk e kuptoja se çfarë po bënte. Më thoshte vetëm: ke nevojë të takosh një hoxhë dhe unë kurrë nuk e dija se pse. Pasi u divorcova, më tha se e kishte bërë sepse nuk donte që unë të isha homoseksuale, donte që të ndryshojaMë detyroi të martohesha. Isha vetëm 17 vjeç, në vitin e fundit të shkollës së mesme dhe nëna ime më martoi, me një djalë të cilin kisha vetëm për një orë, që e njihja”.

 

Ria ishte rreth 28 vjeç kur vendosi të thotë hapur se ishte homoseksuale, një gjë që siç thotë e bëri për vajzën e saj, në atë kohë vetëm dy vjeç.

 

“Ajo më motivoi të jem e sinqertë. Unë jam në një lidhje dhe unë dhe partnerja ime kemi katër fëmijë, ajo ka tre nga lidhje të mëparshme, Kam një familje të lumtur. Vajza ime kurrë nuk thotë pse je kështu, ne thjesht e kemi normalizuar këtë gjë. E kam normalizuar këtë gjë për të që ajo të ndihet rehat kur të flasë me mua për gjithçka. Fëmijët duan të shohin thjesht dashuri, kjo i bën ata të lumtur”./VOA

LEXO EDHE:

Back to top button