Shtetësia/ Opozita maqedonase e vendosur për bllokim, Apasiev “kërcënohet” me fjalim më të gjatë se 6 orë

VMRO-DPMNE dhe “E Majta” edhe sot ka vazhduar spektaklin për të zvarritur Miratimin e propozim Ligjit për shtetësi në Komisionin për Mbrojtje dhe Siguri në Kuvend, shkruan Alsat.
Deputetët e opozitës maqedonase kanë vazhduar fjalimet peocedurale dhe kërkimin e pauzave. Nga VMRO-DPMNE deputeti Brane Petrushevki ka deklaruar se për këtë propozim ligj duhet të ketë debat publike në të cilën do të duhet të marrin pjesë institucionet kompetente dhe ekspertë.
Ndërsa deputeti i ASH-AAA-së, Skënder Rexhepi kërkoi nga deputetët e opozitës maqedonase që të mos e zvarrisin miratimin e ligjit i cili do të zgjidh problemin e rreth 2 000 qytetarëve që me dekada nuk janë pjesë e sistemit të shtetit. Ai ka kërkuar nga deputetët e VMRO-së dhe partisë e “E majta”, që mos ta politizojnë propozim ligjin.
Për momentin ka filluar diskutimi për 10 amendamentet e Komisionit për korrigjimin e propozim Ligjit për shtetësi për të cilin opozita shqiptare arriti marrëveshje me Qeverinë dhe shumicën parlamentare.
Megjithatë “E majta” është e vendosur të bllokojë. Deputeti Dimitar Apasiev tha se do ta thyej rekordin e bisedimeve në Kuvend dhe do të mbajë fjalim më të gjatë se 6 orë.
Me këtë nënkuptohet se Propozim Ligji për shtetësi të zvarritet për një kohë të pacaktuar në Komisionin për Mbrojtje dhe siguri.