Shtetet e Bashkuara të Amerikës shtojnë presionin ndaj Iranit për arritjen e marrëveshjes për t’i dhënë fund konfliktit

SHBA-ja planifikon të dislokojë mijëra trupa shtesë në Lindjen e Mesme në ditët në vijim, ndërsa Uashingtoni synon të ushtrojë presion ndaj Iranit për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit, në prag të përfundimit të armëpushimit dyjavor më 22 prill. Raporti thotë se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po shqyrton sulme të mëtejshme ajrore ose operacione tokësore nëse armëpushimi i brishtë dështon. Ndërkohë Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se SHBA-ja mbetet e angazhuar në negociatat për arritjen e paqes.

“Ne mbetemi shumë të angazhuar në këto negociata. Këtë javë keni dëgjuar drejtpërdrejt nga nënpresidenti dhe presidenti se këto bisedime janë produktive dhe po vazhdojnë. Dhe këtu qëndrojmë për momentin. Ne ndihemi pozitivë për mundësinë e një marrëveshjeje. Presidenti e përmendi këtë në intervistën e tij dhe është në interesin më të mirë të Iranit që të përmbushë kërkesat e Presidentit. Mendoj se ai i ka bërë shumë të qarta vijat e tij të kuqe në këto negociata për palën tjetër,” tha Karoline Leavit, Zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Ajo tha se me gjasë edhe raundi i ri i bisedimeve do të zhvillohet në Islamabad të Pakistanit.

“Me shumë gjasa do të zhvillohen në vendin e njëjtë si herën e kaluar. Dua të theksoj se pakistanezët kanë qenë ndërmjetës të jashtëzakonshëm gjatë gjithë këtij procesi dhe ne e vlerësojmë shumë miqësinë dhe përpjekjet e tyre për ta çuar këtë marrëveshje drejt përfundimit. Pra, ata janë ndërmjetësi i vetëm në këtë negociatë, megjithëse ka shumë vende në mbarë botën që duan të ofrojnë ndihmën e tyre,” deklaroi Karoline Leavit, Zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Në kryeqytetin e Pakistanit gjatë fundjavës u zhvilluan bisedime mes SHBA-së dhe Iranit për të tentuar t’i jepet fund përfundimisht konfliktit që nisi më 28 shkurt, por nuk u arrit marrëveshje. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button