Shteti pranon dështimet për subvencionet në Bujqësi
Shteti pranon dështimet për subvencionet në Bujqësi

Gazetar: Adnan Qaili
Kriza ekonomike ka zgjuar nga gjumi resorin bujqësor të stimulojë kultivimin e prodhimeve ushqimore në prag të sezonit të mbjelljeve, shkruan Alsat.
Ministria e Bujqësisë ka riformatuar programin e subvencioneve dhe përpos mbështetjes bazë për hektar të tokës bujqësore, tani ndihma financiare shtesë do të jepet për prodhimin, me kusht që shitja të bëhet në pikat e autorizuara.
Ministri Lupço Nikollovski tha se këto masa do të heqin nga lista përfituesit që kanë tokë por nuk prodhojnë asgjë, si dhe do të zvogëlojnë shit-blerjet në të zezë të prodhimeve që janë aq shumë të nevojshme për ushqim.
“Nuk do të mund që për vreshtat e braktisur apo plantazhet e papërdorura të pemëve dhe perimeve, pa kontrolluar mjetet agro-teknike që nuk mirëmbahen dikush të marr subvencione. Ashtu nuk mundet që për prodhimtari të tilla sepse lidhet me sasinë e prodhuar që do të shitet tek kooperativat bujqësore, të cilat janë te regjistruara dhe i respektojnë ligjet, ky është kushti kryesor për subvencionet shtesë për tu siguruar që paratë shkojnë tek bujqit e vërtetë për të rritur prodhimin vendor”, tha Lupço Nikollovski, Ministër i Bujqësisë.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë sivjet janë mbjell mbi 78 mijë hektarë grurë dhe mbi 48 mijë hektarë elb në gjithë vendin. Krahasuar me vitin e kaluar ka një rritje të lehtë të kultivimit të këtyre dy llojeve të drithërave.
Kjo shifër mbetet larg përmbushjes së nevojave për tregun vendor me miell. Si pasojë e konkurrencës hambarët e mullinjve mbushen nga importi i vendeve fqinje, të cilët janë të liruar nga dogana, prej ku gruri blihet me 12 denarë për kilogram, Por, gjithsesi qytetarët bukën e prodhimet e miellit i paguajnë më shtrenjtë ngaqë shteti nuk ndërhyn në rregullimin e çmimit në treg.
“Një pjesë e madhe e prodhimeve bujqësore kanë çmimet e bursës dhe mund të ndiqen. Përmes këtyre metodave të reja flasim për prodhim me kontratë që do të thotë se ato kultura që keni marrëveshje për ti mbjell, vitin e ardhshëm ta keni plasmanin e sigurte por çmimin e përcakton bursa e tregut botëror. Ne nga kjo nuk mund të ikim, roli ynë në këto pesë vite është të mos lejojmë të ketë rënie të disa produkteve”, u shpreh Trajan Dimkovski, Këshilltar për zhvillimin rural.
Për të zbutur krizën me produktet ushqimore, shteti ka kthyer vëmendjen nga kultivimi i tokës pjellore.
Në takim me shoqatat e bujqve dhe blegtorëve u parashikua që 30% e subvencioneve të jepen avans gjatë aplikimit dhe pjesa mbetur për çdo muaj të 10 mijë veprimtarëve.
Parashikohet që tokat e papërdorura private, me pëlqim të pronarëve, ti merr shteti në shfrytëzim për ti dhënë me koncesion për bujqësi. Ndonëse vendi ynë ka rreth 600 mijë hektarë tokë bujqësore, sipas agrarëve vetëm gjysma e tyre kultivohet.
Sivjet 6 mijë hektarë janë mbjellë me luledielli, për vaj ushqimi, por janë vetëm 20% e kërkesës së tregut se sa konsumon popullsia e Maqedonisë./ Alsat.mk