Shtyhet seanca gjyqësore për sulmin terrorist në Banjskë
Shtyhet seanca gjyqësore për sulmin terrorist në Banjskë
Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi ta shtyjë seancën fillestare në rastin Banjska kundër 45 të akuzuarve për terrorizëm dhe për vepra të rënda kundër Kushtetutës së Kosovës, përfshirë Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i Listës Serbe. Një seancë e re u caktua për 9 tetor, pas kërkesës së tre avokatëve të të akuzuarve që gjenden në paraburgim. Ata donin më shumë kohë për t’u përgatitur. Shumica dërrmuese e të akuzurave ndodhen në arrati. Avokatët e të akuzuarve kërkuan nga prokuroria t’ua dorëzojë dosjet e rastit në formë fizike, pasi disa dosje të pranuara në mënyrë elektronike “nuk kanë mundur t’i hapin” dhe se nuk mund të përgatiten për mbrojtje, prandaj kërkuan që seanca të shtyhej. Prokuroria kërkoi që seanca të shtyhej vetëm nëse të pandehurit do ta pranonin fajësinë, gjë që nuk u pranua nga gjykatësi. Megjithatë, të pandehurit do të deklarohen rreth fajësisë në seancën e re muajin e ardhshëm. Kjo seancë vjen një ditë pas përvjetorit të sulmit në Banjskë, në veri të Kosovës, kur një grup i armatosur serb sulmoi policinë dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi u vranë edhe tre sulmues serbë. /Alsat.mk