Shumë premtime për avancimin e shërbimeve të transportit në Shkup, por pa rezultat

Shumë premtime për avancimin e shërbimeve të transportit në Shkup, por pa rezultat

Gazetar: Mefail Ismaili

Transport publik pa pagesë, “Bus Rapid” ose transport i shpejtë, metro, tramvaj, tunele e transport publik modern, autobus të shpejtë dhe ekologjik. Të gjitha këto janë premtime parazgjedhore që bëhen me dekada nga kandidatët për kryetar të Qytetit të Shkupit. Por sot e kësaj dite nuk ka asnjë investim dhe projekt konkret të realizuar. Madje, për momentin, transporti publik në kryeqytet ndodhet në kolaps.

Ekspertët e komunikacionit në vend, thonë se premtimeve bëhen pa u analizuar infrastruktura e Shkupit.

“Premtimet parazgjedhore mendoj se jepen shumë shpejtë, pa u bërë ndonjë analizë e mirëfilltë… Për çdo ndryshim eventual të cilin ne mund ta ndërmarrim ne duhet që të bëhen analiza adekuate të gjendjes ekzistuese e pastaj të jepen propozime të ngjashme…. Sepse ne mund të themi se mund të bëjmë edhe metro nëntokësor, por kushtet nuk na lejojnë një gjë të tillë…”, tha Adelon Ajdini, profesor.

Profesori Adelon Ajdini thotë se për kryeqytetin tonë mund të merren shumë lehtë shembuj nga Evropa, ku ka rreth 40 qytete me parametra të njëjta si Shkupi e tek të cilat funksionojnë deri në katër lloje të ndryshme të transportit publik.

“Transporti publik patjetër duhet të jetë i ndarë fizikisht me korsi nga transporti me automjete personale. E që qytetarët ta shfrytëzojnë në masë më të madhe transportin publik ai duhet të jetë më i shpejtë, i saktë, i rregullt, frekuenca normalisht që duhet të jetë më e madhe dhe normalisht kostoja duhet të jetë më i ulët se transporti me automjete personale”, shtoi ai.

Ajdini thekson se të dhënat e fundit tregojnë se Shkupit ka të regjistruar mbi 600 mijë banorë dhe 170 mijë automjete personale. Kjo, sipas tij, është edhe një tregues se transporti publik nuk ofron shërbime cilësore./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button