Si do të funksionojë zinxhiri për furnizim me vaksina kundër Covid-19?

Qeveria britanike tashmë ka konfirmuar listën me grupet që do të vaksinohen me prioritet-por si do të funksionojë?

Vaksina kundër Covid-19 e kompanisë Pfizer / BioNTech, e cila tashmë është aprovua për përdorim në Britaninë e Madhe prodhohet në Belgjikë. Vaksina duhet të ruhet në -70 Gradë Celsius për të shmangur prishjen para se të përdoret.

Komiteti i Përbashkët për Vaksinim dhe Imunizim në Britani (JCVI) tashmë ka konfirmuar listën e grupeve më të rrezikuara nga Covid-19, të cilët do të marrin të parët vaksinën, duke filluar nga java e ardhshme.

Kryeministri britanik, Boris Johnoson ka pranuar se qeveria po përballet me “sfida të mëdha logjistike” në lidhje me organizimin e shpërndarjes së vaksinës.

Këto vaksina do të duhet të transportohen nga fabrika e prodhimit të Pfizer në Belgjikë në disa nga pjesët më të largëta të ishujve britanikë, përfshi këtu edhe Ishullin e Arranit, përcjell Alsat.

Ja se si do të funksionojë i gjithë procesi:

Faza e parë: Prodhimi

Siç u theksua, vaksinat prodhohen në Belgjikë. Vaksinat prodhohen në ampula të holluara me tretësirë fiziologjike farmaceutike.

Rreth 100 ampula vendosen në tabaka të cilat grumbullohen në kuti që mbajnë temperaturë të ftohtë, të njohura në mjekësi si “transportues”.

Për shkak se vaksinat bazohen në molekulën e ARN-së që bart informata gjenetike nga bërthama e qelizës në citoplazmë ku prodhohen proteinat (mARN) dhe janë të mbështjella në nanopjesë lipidike – diçka që shkatërrohet shumë lehtë, ampulat duhet të ruhen në temperaturë shumë të ftohtë për të parandaluar degradimin materialit.

Për shkak të ndjeshmërisë së vaksinës, kutitë janë të gjitha të pajisura me termometër që tregon informacion minutë pas minute për temperaturën.

Ky është proces i ngjashëm me parandalimin e prishjes së ushqimit përmes frigoriferit, respektivisht parandalon reaksione kimike të cilat do të shkaktonin zbërthimin e molekulave.

Kutitë termike janë të dizajnuara posaçërisht për ruajtjen e vaksinave dhe mund të mbajnë nga 1.000 deri në 5.000 doza secila. Në brendësi të kutive, gjegjësisht në pjesën e brendshme të mureve izoluese ka akull të thatë (dry ice) që mban temperaturën e brendshme të kutive.

Faza e dytë: Zhvendosja e kutive në depo

Kutitë e paketuara më parë mund të transportohen me kamion të pajisur me frigorifer ose aeroplan deri në depon qendrore në Britanisë së Madhe, ku vaksinat mund të kontrollohen për të vlerësuar cilësisë.

Pasi të konfirmohet cilësia e vaksinave ato do të zhvendosen në depo me frigorifer, ku mund të mbahen për muaj të tërë për sa kohë që sigurohet temperaturë prej -70 Gradë Celsius.

Hapi tjetër paraqet sfidën më të madhe logjistike, konkretisht shpërndarja e vaksinës nëpër vendbanime.

Faza e tretë: Përgatitja për shpërndarje

Nga depoja qendrore në Britaninë e Madhe, vaksinat do të shpërndahen në 50 qendra spitalore.

Ruajtja e vaksinës në temperaturë -70C është e nevojshme vetëm gjatë transportit dhe deponimit afatgjatë, përndryshe kjo temperaturë nuk është e domosdoshme edhe në qendrat e vaksinimit.

Kutitë termike në frigorifer normal mund të qëndrojnë për pesë ditë pa e ndërruar akullin e thatë, ndërsa nëse ndërrohet akulli i thatë vaksinat mund të “mbijetojnë” mbi 30 ditë.

Qendrat spitalore do të shpërndajnë vaksinën nëpër zonat lokale, sipas listës prioritare të qeverisë.

Faza e katërt: Shpërndarja e vaksinës

Pasi të arrij nëpër qendrat lokale, vaksina duhet të shkrihet para se të përdoret, gjë që zgjat disa orë, dhe më pas nevojitet kohë shtesë për të përgatitur vaksinën për t’u aplikuar.

Vaksina aplikohet në krah si injeksion normal intra-muskulor.

Duke marrë parasysh se përveç qendrave për vaksinim, ampulat do të duhet të shpërndahen edhe nëpër shtëpitë e kujdesit-institucione geriatrike, transporti prej qendrave lokale në këto institucione mund të bëhet nëse sigurohet temperaturë prej 2-8 gradë Celcius, por vaksinimi duhet të realizohet brenda 6 orëve.

Protokollet për transport dhe deponim të vaksinave kanë nxitur reagime nga ministri i Shëndetësisë në Uells, Vaughan Gething, i cili tha se vaksina Pfizer “nuk mund” të shpërndahet nëpër shtëpitë në shtëpitë e kujdesit në këtë fazë, pavarësisht se të moshuarit janë në listën prioritare për imunizim kundër Covid-19.

LEXO EDHE:

Back to top button