Si do të zhvillohet “impiçmenti” i dytë ndaj Trumpit?

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të nisë procedurat për ngritjen e akuzave kundër presidentit Donald Trump, lidhur me inkurajimin që ai i bëri mbështetësve të tij të cilët sulmuan Kongresin amerikan – një votim ky që e bën Trumpin të jetë presidenti i parë amerikan ndaj të cilit zhvillohet ky proces dy herë, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Procesi i ngritjes së akuzave në Kongres apo siç njihet anglisht “impeachment” më herët është iniciuar ndaj tre presidentëve amerikanë – Andrew Johnson, Bill Clinton dhe Trump – dhe ka zgjatur tri muaj para votimit final. Në këto procese të mëhershme janë kryer edhe hetime, por edhe janë mbajtur seanca dëgjimore. Por, gjykimi i dytë ndaj Trumpit, pritet të zhvillohet brenda një jave.

Pas sulmit në ndërtesën e Kongresit, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha se “ne duhet të veprojmë” dhe demokratët – dhe disa republikanë – ndajnë të njëjtin mendim dhe pritet që të mërkurën të votojnë për këtë.

Për më tepër, Senati që udhëhiqet nga republikanët nuk pritet që të mbajë gjykim dhe të votojë nëse Trumpi do të gjendet fajtor para se Joe Biden të betohet si president i ri i SHBA-së më 20 janar. Por, pavarësisht kësaj, demokratët thonë se veprimet në Dhomën e Përfaqësuesve do t’i dërgojnë një mesazh të rëndësishëm vendit.

Më poshtë mund të mësoni se çfarë pritet të ndodhë teksa Dhoma e Përfaqësuesve nis procesin e shkarkimit të Trumpit, teksa këtij të fundit i kanë mbetur edhe një javë mandat si president.

Baza e gjykimit

Normalisht, do të duhej të kishte hetim në procesin e gjykimit dhe provat do të duhej që t’i dërgoheshin Komitetit Gjyqësor të Dhomës, organ i cili më pas do të duhej të mbante seanca dëgjimore, të draftonte artikujt e gjykimit dhe më pas t’i dërgonte ato në Dhomën e Përfaqësuesve. Kështu ndodhi më 2019, kur Dhoma e Përfaqësuesve e gjeti fajtor Trumpin lidhur me marrëveshjet që ai kishte bërë me presidentin e Ukrainës. Atëbotë, i gjithë ky proces zgjati tre muaj.

Por, kësaj radhe, me vetëm disa ditë për të vepruar – dhe me ndjenjën në mesin e demokratëve se ka pak hetime për t’u kryer lidhur me atë se çfarë ndodhi, pasi shumica e anëtarëve të Kongresit e dëgjuan Trumpin teksa iu drejtua mbështetësve të tij dhe se ligjvënësit ishin në Kongres kur sulmi ndodhi – procesi i gjykimit po shkon drejt votimit në Dhomën e Përfaqësuesve, gjë që pritet të ndodhë të mërkurën.

Pasi Dhoma të votojë për këtë, artikujt e gjykimit dhe provat do të dërgohen në Senat, ku gjykimi do të mbahet dhe aty më pas do të ketë një votim final lidhur me atë nëse Trump do të gjendet fajtor apo do të lirohet nga akuzat. Këtë gjë e kishte bërë Senati shkurtin e vitit të kaluar, pasi ndaj Trumpit nisën procedurat e gjykimit për herën e parë.

Artikujt

Demokratët do ta nisin debatin të mërkurën me vetëm një akuzë: “nxitje të kryengritjes”.

“Presidenti Trump rrezikoi seriozisht sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe institucioneve të qeverisë”, thuhet në artikullin e akuzave prej katër faqes, që u prezantua nga përfaqësuesit demokratë, David Cicilline nga Rode Ijllënd (Rode Island), Ted Liu nga Kalifornia (California) dhe Jamie Raskin nga Merilend (Maryland).

“Ai do të vazhdojë të jetë kërcënim për sigurinë kombëtare, demokracinë dhe Kushtetutën nëse lejohet që të qëndrojë në zyre”, thuhet në dokument.

Artikulli po ashtu thotë se sjellja e Trumpit është konsistente lidhur me përpjekjet e tij të mëparshme për të “përmbysur dhe penguar” rezultatet e zgjedhjeve dhe po ashtu përmendet edhe biseda telefonike që presidenti kishte së fundmi me Sekretarin e shtetit të Xhorxhias (Georgia), ku Trump kërkoi nga ai që t’i gjendet më shumë vota, pasi humbi zgjedhjet në këtë shtet.

Trump, pa dhënë prova, ka pretenduar se ka pasur mashtrime të gjera në zgjedhje dhe këto pretendime janë përsëritur edhe nga kongresistët republikanë dhe nga sulmuesit që sulmuan Kongresin. Vetëm pak orë para trazirave, Trump iu drejtua mbështetësve të tij para Shtëpisë së Bardhë, duke i inkurajuar ata që “të luftojnë”.

Teksa protestuesit hynë në Kongres, të dy dhomat e këtij institucioni, po debatonin lidhur me kundërshtimet që republikanët kishin bërë gjatë numërimit të votave elektorale në shtetin e Arizonës. Kundërshtimet ishin pjesë e procesit të certifikimit nga Kongresi të fitores së Bidenit.

Mbështetja e republikanëve

Të mërkurën, pesë republikanë thanë se do të mbështesin procesin për shkarkimin e Trumpit. Asnjë republikanë nuk kishte mbështetur procesin për shkarkimin e Trumpit më 2019.

Përfaqësuesja republikane nga Uajoming (Wyoming), Liz Cheney, që njëherësh është vajza e ish-nënpresidentit amerikan, Dick Chaney, tha se ajo do të votojë për shkarkimin e Trumpit sepse “asnjëherë nuk kam parë tradhti më të madhe nga një president i Shteteve të Bashkuara ndaj zyrës së tij dhe ndaj betimit që ka bërë ndaj Kushtetutës”.

Cheney tha se Trumpi “ftoi” turmën që të sulmonte Kongrsin javën e kaluar, “mblodhi turmën dhe nxiti këtë sulm”.

Përfaqësuesi nga Nju Jorku (New York), John Katko ishte republikani i parë që tha se do të votonte për shkarkimin e Trumpit. Katko, që është ish-prokuror federal, tha se marrja e këtij vendimi nuk ka qenë e lehtë.

“Të lejosh presidentin e SHBA-së që të nxisë sulm pa pasur pasoja, është kërcënim direkt ndaj së ardhmes së demokracisë sonë”, tha Katko. “Unë nuk mund të qëndroj pa bërë asgjë”, shtoi ai.

Po ashtu, republikanët Adam Kinzinger nga Illinois (Illinois), Fred Upton nga Miçigen (Michigan) dhe Jaime Herrera Beutler nga Uashingtoni (Washington) janë deklaruar pro shkarkimit të Trumpit.

Dërgimi në Senat

Kur artikujt e gjykimit të kalojnë në Dhomën e Përfaqësuesve, kryetarja e këtij institucioni, Nancy Pelosi i dërgon ato në Senat. Sipas rregullave të deritanishme, Senati është në pushim deri më 19 janar, që është vetëm një ditë para inaugurimit të Bidenit.

Disa demokratë kanë sugjeruar se Pelosi mund të presë dhe të mos i dërgojë menjëherë në Senat artikujt e gjykimit dhe këtë ta bëjë pasi Bideni të nisë mandatin e tij si president. Por, demokratë të tjerë i kanë bërë thirrje Pelosit që të veprojë sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, i cili do të udhëheqë me Seantin pasi Bideni të betohet si president, ka sugjeruar në një letër që u dërguar kolegëve të martën, se ky institucion mund të ndajë kohën në mes të konfirmimit të të nominuarve të Bidenit për postet qeveritare, miratimit të pakos së ndihmës për COVID-19 dhe mbajtjes së gjykimit ndaj Trumpit.

Nëse gjykimi nuk mbahet deri kur Trump të jetë larguar nga zyra, kjo prapë do të ketë ndikim që ta parandalojë atë që të rikandidojë për president.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden ka thënë se është e rëndësishme që të sigurohet që “njerëzit që u përfshin në kryengritje dhe kërcënuan jetën, që dëmtuan pronën publike dhe shkaktuan dëme të mëdha – ata duhet të mbajnë përgjegjësi”.

Politikat e Senatit

Ka pak gjasa, tash për tash, që numër i mjaftueshëm i republikanëve do të votojnë për gjetjen fajtor të Trumpit, pasi që për këtë gjë kërkohet dy e treta e votave të Senatit. Megjithatë, disa republikanë kanë kërkuar nga Trumpi që të japë dorëheqje, përfshirë këtu senatorin nga Pensilvania (Pennsylvania), Pat Toomey dhe ajo nga Alaska, Lisa Murkowski. Por, ka edhe disa senatorë që i kanë dalë në mbrojtje presidentit.

Senatori republikan, Ben Sasse tha se ai do të shikojë se çfarë do të miratojë Dhoma e Përfaqësuesve, por nuk e qartësoi nëse ai do të mbështeste një vendim për shkarkimin e Trumpit.

Republikanë të tjerë kanë thënë se një gjykim ndaj Trumpit do të krijonte më shumë ndasi. Senatori nga Karolina e Jugut (South Carolina), Lindsey Graham – një aleat kyç i presidentit Trump – ka qenë kritik ndaj sjelljes së presidentit në nxitjen e trazirave, por ai ka thënë se një gjykim ndaj Trumpit “do të bënte më shumë dëm sesa mirë”.

Vetëm një republikan kishte votuar vitin e kaluar për ta dënuar Trumpin – senatori nga Utah, Mit Romney.

Çfarë do të thotë ky proces?

Demokratët kanë thënë se do të vazhdojnë me procesin edhe nëse Senati nuk kthehet nga pushimi.

Senatori nga Vermonti, demokrati Bernie Sanders ka shkruar të premten në Twitter se disa njerëz mund të pyesin se pse po nisin procedurat për gjykimin e Trumpit, teksa atij i kanë mbetur vetëm disa ditë mandat.

“Përgjigja: Precedenti”, tha ai. “Duhet të bëhet e qartë se asnjë president, tani apo në të ardhmen, nuk mund të udhëheqë një kryengritje ndaj Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.

LEXO EDHE:

Back to top button