Si festohet Dita e Verës në Strugë?
Si festohet Dita e Verës në Strugë?

Gazetare: Ilmie Zhaku
Struga është një nga qytetet që e feston Ditën e Verës me shumë dashuri dhe përkushtim, duke ruajtur traditat e trashëguara brez pas brezi. Kjo festë, e cila simbolizon ardhjen e pranverës dhe ripërtëritjen e natyrës, mbledh çdo vit familjet dhe fëmijët në një atmosferë festive dhe plot emocion.
Përgatitjet për Ditën e Verës fillojnë një ditë më parë, më 13 mars. Sipas traditës, struganët mbledhin tre elemente natyrore simbolike: lulen e kukurekut, degën e thanës dhe degën e dushkut. Kukureku vendoset në pragjet e shtëpive për të sjellë fat dhe për të shënuar ardhjen e pranverës. Thana simbolizon forcën dhe qëndrueshmërinë, duke uruar që njerëzit të jenë të fortë si kjo pemë. Ndërsa dushku përfaqëson jetëgjatësinë dhe shëndetin e mirë. Në mbrëmjen e 13 marsit, struganët vendosin në kyçin e dorës veroret, byzylykë të thurur me fill të bardhë dhe të kuq. Ngjyra e bardhë simbolizon paqen, ndërsa e kuqja shëndetin dhe energjinë e pranverës.
Mëngjesi i 14 marsit sjell një atmosferë të veçantë në Strugë. Dyert e shtëpive janë të hapura dhe fëmijët dalin shtëpi më shtëpi për të mbledhur vezë dhe ëmbëlsira, duke thirrur “Ciu Ciu”, një traditë që ruhet me fanatizëm prej vitesh. Vezët janë një simbol kryesor i kësaj feste dhe çdo familje përgatit vezë dhe çokollata për fëmijët që trokasin në derë. Përgjatë ditës, qyteti dhe fshatrat mbushen me gjallëri. Në disa shkolla organizohen festa të vogla për të shënuar këtë ditë të veçantë. Disa vite më parë, festimet zhvilloheshin edhe në sheshin e qytetit, por kohët e fundit ky interesim është zvogëluar. Megjithatë, traditat vazhdojnë të përcillen nga një brez në tjetrin.
Në një intervistë në emisionin “Ditë e Re” në Alsat me moderatoren Rita Behadini, moderatorja Ilmie Zhaku ndau kujtimet e saj nga fëmijëria në Strugë lidhur me Ditën e Verës.
“Kjo është një nga festat e mia të preferuara dhe gjithmonë më sjell kujtime të bukura nga fëmijëria. Në atë kohë, ne fëmijët zgjoheshim që në orën 5 ose 6 të mëngjesit për të nisur mbledhjen e vezëve dhe çokollatave. Shkonim shtëpi më shtëpi dhe përpiqeshim të vizitonim sa më shumë familje. Më pas, bëhej gara se kush kishte mbledhur më shumë vezë dhe çukisnim vezet për të parë kush kishte vezën më të fortë. Më vjen mirë që kjo traditë vazhdon dhe shoh edhe familjarë që jetojnë në mërgim, të cilët sot në mëngjes më dërguan foto dhe video të fëmijëve të tyre me shportat e Ditës së Verës dhe me veroret në duar. Është bukur të shohësh se tradita ende mbahet gjallë.”
Dita e Verës në Strugë nuk është thjesht një festë kalimtare, por një traditë që ka mbijetuar ndër vite dhe vazhdon të bashkojë familjet, miqtë dhe komunitetin. Ajo sjell gëzim dhe nostalgji, duke rikthyer atmosferën e një kohe kur fëmijët mbushnin rrugët me hare dhe emocion. Edhe pse sot një pjesë e madhe e familjeve janë në mërgim, kujtimet dhe traditat vazhdojnë të jetojnë, duke u përcjellë tek brezat e rinj, të cilët e festojnë këtë ditë me të njëjtin entuziazëm si dikur. /Alsat.mk