Si ndryshon Shqipëria para përballjes së madhe me Kroacinë

Kombëtarja shqiptare ka zbritur pasditen e djeshme në fushë për herë të fundit në kuadër të ndeshjes së dytë kundër Kroacisë, që do të zhvillohet sot në orën 15:00 në stadiumin “Volfsparkstadion” të Hamburgut.

Grupi ka qenë i plotë dhe asnjë prej lojtarëve nuk ka shfaqur shqetësime fizike. Atmosfera te kuqezinjtë është pozitive, ndërsa dje skuadrës iu desh që të stërvitej në shi në stadiumin ku luan skuadra gjermane e St. Paulit.

Sulmuesi i krahut të majtë, Arbër Hoxha, pritet të jetë risia e formacionit të Shqipërisë në ndeshjen e sotme. Lojtari që aktivizohet me Dinamon e Zagrebit në Kroaci, ka fituar besimin e Silvinjos dhe gjasat janë që të marrë vendin e Taulant Seferit ose Jasir Asanit, gjithmonë me këtë të fundit duke parë edhe gjendjen fizike, pasi dëmtoi kaviljen kundër Italisë.

Në majën e sulmit do t’i besohet Brojës, ndërsa në mesfushë nuk do të ketë ndryshime, me Ramadanin, Asllanin dhe Bajramin që rikonfirmohen. Në mbrojtje, një dilemë e vogël është tek Ajeti, ndërsa Ismajli është gati për ta zëvendësuar.

Sa i përket pozicioneve të tjera, në portë do të jetë sërish Strakosha, ndërsa në të djathtë, pavarësisht situatës së Hysajt, sërish shkodrani ka më shumë mundësi për ta nisur titullar. Alternativë për krahun e djathtë është Ivan Balliu, i cili nuk u aktivizua kundër Italisë. Me Gjimshitin dhe Mitajn kompletohet reparti i mbrojtjes.

LEXO EDHE:

Back to top button