Sigurimi i Kuvendit, ja çfarë mendojnë ekspertët
Sigurimi i Kuvendit, ja çfarë mendojnë ekspertët

Një analizë e thelluar do të tregojë nëse propozimi për sigurim të Kuvendit është i justifikuar apo është thjesht populizëm partiak, theksoi për Alsat Vladimir Pivovarov, ekspert në fushën e sigurisë. Sipas Pivovarov, në raste të tilla gjëja më e rëndësishme është të bëhet vlerësim serioz nëse dhe në çfarë mase është e nevojshme një gjë e tillë, pasi Parlamenti tashmë është i siguruar nga policia, por edhe të bëhet dallim midis përgjegjësive nëse ky propozim zbatohet.
“Pra, a nuk i besojmë Drejtorisë së Gjashtë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kështu që nëse nuk i besojmë atëherë duhet të veprojmë seriozisht ndaj kësaj pjese. Po sikur të ndodhë që forcat e policisë të hyjnë në Parlament, a do të kemi përplasje të armatosur, janë persona të armatosur, midis parlamentarëve, siç është propozimi, dhe forcave të policisë. Pra, ky është vetëm një propozim që duhet të përpunohet seriozisht, njerëz seriozë duhet të marrin pjesë në këtë propozim, dhe jo partitë politike me syze rozë ta shohin atë”, deklaroi Vladimir Pivovarov, ekspert në fushën e sigurisë.
Përveç mënyrës se si do të funksionojë në terren, Pivovarov thotë se nevojitet qasje serioze në pjesën ligjore, si dhe për të parë se çfarë implikimesh financiare do të sjellë ky propozim.
“Sigurisht, duhen miratuar ligje të reja për këtë polici – kush jep urdhra, kush i zbaton urdhrat, duhen hartuar protokolle. Pra, e gjithë kjo është shumë e rëndësishme për funksionimin e pjesës ligjore. Dhe ajo që është shumë e rëndësishme që ta bëjmë te ne është pjesa ekonomike – nën kompetencat e kujt do të jenë këto, qoftë nën Ministrinë, qoftë pjesa ekonomike nën Parlamentin, qoftë nëse do të kemi implikime financiare shumë më të mëdha se ato të deritanishmet”, tha Vladimir Pivovarov, ekspert në fushën e sigurisë.
Për këtë ide është formuar tashmë grup pune nga Kryetari i Parlamentit, i cili përfshin përfaqësues të Qeverisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë, dhe këtë javë do të mbahet takim për të konkretizuar detajet. Ideja e policisë parlamentare u dha në vitin 2017, kur ndodhën trazirat më 27 prill në Parlament, dhe pikërisht mangësitë e strukturave të sigurisë në atë kohë lejuan turmën të hynte. /Alsat.mk