Siljanovska Davkova: S’ka nevojë për ndryshim të himnit, stema me karakteristika më shumë gjeografike sesa historike
Siljanovska Davkova: S’ka nevojë për ndryshim të himnit, stema me karakteristika më shumë gjeografike sesa historike

Gazetare: Fatlume Dervishi
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova deklaron se ka frikë që një debat mbi simbolet shtetërore mund të fusin palët në konflikte të reja emocionale. Ajo është kategorikisht kundër ndryshimit të himnit kurse sa i takon stemës ka dilema se sa është momenti i duhur për hapjen e këtyre temave. Simbolet, thotë ajo, duhet të na bashkojnë dhe jo të na ndajnë.
“Nëse më pyesni për himnin, absolutisht mendoj se nuk ka nevojë për ndryshim të himnit. Himni asnjëherë nuk pasqyron të tanishmen. Gjithmonë pasqyron memorie historike, gjenezë, dhe ne nuk kemi të drejtë, unë nuk kam dëgjuar që njerëzit të ndryshojnë himnin. Kur bëhet fjalë për stemën, është e vërtetë se stema ka simbole që pasqyrojnë më shumë gjeografinë nga diçka që ndoshta ka qenë tregues historik. Unë kam vetëm dilemën e momentit të hapjes së çështjes. Nuk e mohoj që në histori simboli më prezent ka qenë luani i kuq me bazë të artë. Por dilema ime është që sa herë që fillojmë të flasim për kështu çështje etnike e bëjmë me aq emocione sa nuk na mbetet kohë për ballafaqim me dilemat e duhura”, deklaroi Gordana Siljanovska Davkova, Presidente.
Siljanovska takoi sot akademikët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Kreu i ASHAM-it Zhivko Popov thotë se simbolet janë të mira, mund të përmirësohen por jo të ndryshohen.
“Vlerësoj se të gjitha temat duhet të hapen. Është hapur debat dhe mundet të diskutohet por mendoj se në këtë moment kjo nuk është çështja më aktuale. Vendi përballet me tema tjera më kruciale dhe këta çështje sipas meje nuk do të duhet të aktualizohen. Nëse më pyesni personalisht, nuk vlerësoj se simbolet që dalin nga momente historike, nga revolucioni që doli Republika e Maqedonisë si pjesë e Federatës Jugosllave, duhet të ndryshohen”, tha Zhivko Popov, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë.
Temën e ndryshimit eventual të simboleve shtetërore e hapi vetë kryeministri Hristijan Mickoski i cili e quajti stemën simbol post-socialist duke theksuar se vendi është ndër të paktët që kanë mbetur pa e ndryshuar. VLEN pas kësaj, deklaroi se është hapur kjo temë mes partnerëve të koalicionit por se ata janë për ndryshime në pako të simboleve shtetërore, bashkë heqjen e përkufizimit 20% për gjuhën shqipe nga Kushtetuta. VMRO-ja mohoi të ketë pasur diskutime të tilla. /Alsat.mk