Siljanovska në OKB nuk përmendi emrin e shtetit
Siljanovska në OKB nuk përmendi emrin e shtetit
Gazetare: Fatlume Dervishi
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova nuk e përmendi asnjëherë emrin e shtetit, në fjalimin e saj në Samitin e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Siljanovska, në Samitin për të Ardhmen, tha se është koha për t’u përballur me realitetin e shëmtuar të luftërave, fatkeqësive natyrore, varfërisë së madhe, pabarazisë dhe shkeljes së ligjit ndërkombëtar, duke praktikuar ligjin e njerëzve në vend të sundimit të ligjit, duke sakrifikuar drejtësinë, etikën dhe morali për hir të fitimit dhe pushtetit. Ajo kërkoi reforma të thella në OKB kurse vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të bëhen të detyrueshme për të gjithë.
“Duhet t’i jepet fund shpërfilljes, anashkalimit dhe zbatimit selektiv të Kartës, si në rastin maqedonas. Si Presidente e parë femër, avokoj fuqimisht për më shumë gra në postet më të larta dhe i jam përkushtuar realizimit të këtyre angazhimeve. Unë besoj se Pakti për të Ardhmen, marrëveshja Globale Dixhitale dhe Deklarata për të Ardhmen janë një kornizë solide dhe frymëzuese për hartimin dhe ndërtimin e një të ardhmeje, në të cilën paqja, prosperiteti dhe drejtësia nuk janë dëshirë, por një bazë reale për veprim”, tha Gordana Siljanovska Davkova, Presidente.
Kryeministri shqiptar Edi Rama, në fjalimin e tij nuk e pati problem të përmendë disa herë Shqipërinë. Ai tha se herë pas here OKB nuk ka mundur të përmbushë shpresat e popujve, e frika për të ardhmen vazhdon të rritet kudo, në Lindje, në Perëndim, në Veri e në Jug.
“Sfidat tona janë të ndërlidhura thellësisht, e nëse nuk përballemi me to, me një rend të rienergjizuar shumëpalësh do të dështojmë të gjithë së bashku. Veprimi shumëpalësh nuk është një zgjedhje, është nevojë urgjente. Problemet me të cilat përballemi sot, qofshin si rezultat i veprimeve apo mosveprimeve tona, kërkojnë përgjigje kolektive. Shqipëria mbështet plotësisht Paktin për të Ardhmen dhe të gjithë angazhimet e saj, por më lini të theksoj, angazhimet të vetme nuk janë të mjaftueshme aspak. Ato duhet të përmbushen, të zbatohen”, u shpreh Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
Udhëheqësit botërorë të 193 vendeve në Nju Jork miratuan një Pakt për të Ardhmen që përfshin një Kompakt Global Dixhital dhe një Deklaratë për Gjeneratat e Ardhshme. Ky Pakt është marrëveshja ndërkombëtare më e gjerë në shumë vite, që mbulon fusha krejtësisht të reja, si dhe çështje për të cilat marrëveshja nuk ka qenë e mundur në dekada. Pakti synon mbi të gjitha të sigurojë që institucionet ndërkombëtare të mund të japin rezultate përballë një bote që ka ndryshuar. Pakti mbulon një gamë të gjerë çështjesh duke përfshirë paqen dhe sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm, ndryshimet klimatike, bashkëpunimin dixhital, të drejtat e njeriut, gjininë, të rinjtë dhe brezat e ardhshëm dhe transformimin e qeverisjes globale. /Alsat.mk