Pas rezonancës magnetike është konkluduar se Gjimshiti ka pësuar një tërheqje muskulore dhe ka nevojë për disa ditë pushim për t’u rikuperuar nga dëmtimi. Kapiteni kuqezi është rikthyer te klubi i Atalantës për të nisur menjëherë rikuperimin.
Në këto kushte, trajneri Silvinjo ka vendosur të thërrasë për këto dy ndeshje mbrojtësin e Kombëtares U21, Adrian Bajramin, i cili u stërvit dje me ekipin. Një mungesë e rëndësishme, duke kujtuar që edhe Arlind Ajeti nuk ishte i disponueshëm pasi sapo është rikthyer nga një dëmtim. Kështu që qendra e mbrojtjes kuqezi që luajti nga minuta e parë në të trija ndeshjet e Kampionatit Europian është “shkërmoqur”.
Asnjë minutë në Europian duke mos u preferuar, Silvinjo tani duhet t’i besojë Ardian Ismajlit, i cili do të jetë titullar dhe do të shoqërohet nga Marash Kumbulla. Lajmi i mirë është se Kumbulla ka filluar të luajë rregullisht në ndeshjet e para me Espanjolin dhe kjo është një garanci më shumë. Për të plotësuar këtë repart, do të jetë Mario Mitaj dhe Elseid Hysaj ata që do ta nisin nga minuta e parë në duelin me Ukrainën më 7 shtator.
Qazim Laçi tregoi se është një lojtar i denjë për vendin e titullarit dhe këtë e bëri në Kampionatin Europian, një turne i përmasave të mëdha, ku edhe rëndësia e ndeshjeve është tepër e lartë. Ndërkohë me Asllanin dhe Ramadanin të cilët do të jenë nga fillimi, dilema e Silvinjos është nëse do t’i besojë Laçit nga minuta e parë dhe të spostojë Bajramin në krah, por me këtë variant do të sakrifikohej Arbër Hoxha i cili është në formë të mirë. Ndërkohë, ruajtja e Laçit për në pjesën e dytë, ku mund të ndihmojë skuadrën kur energjitë të kenë rënë, do të ishte më i favorshëm për krahun, sepse Bajrami do të futej te treshja e mesfushës me Ramadanin dhe Asllanin, ndërsa në krah do ta niste nga fillimi Seferi ose Hoxha, me këtë të fundit që është më i avantazhuar. Sa i përket krahut tjetër, Asani është i konfirmuar, ndërsa në majën e sulmit do të jetë Rei Manaj.








