Silvinjo: S’ka mosmarrëveshje me Brojën, erdhi nga një dëmtim 10-mujor

Në prag të miqësores ndaj Bullgarisë, trajneri Silvinjo u është përgjigjur gazetarëve të pranishëm. Një nga pyetjet më pikante ka qenë në lidhje me Armando Brojë. Broja nuk ishte i disponueshëm në ndeshjen me Çekinë, pasi ndjente dhimbje në gjurin e tij të operuar, por në media menjëherë filluan të spekulonin se kishte një “përplasje” mes trajnerit brazilian dhe sulmuesit të talentuar.
“Nuk ka ndodhur asgjë. Ai vjen nga një dëmtim rreth 10-mujor, një kohë shumë e gjatë. Ka luajtur pak kohët e fundit me Çellsin dhe në ndeshjen e fundit atje ka luajtur vetëm pjesën e parë. Kishte një problem dhe erdhi këtu. Pasi provuam, në bashkëpunim me mjekët e Çellsit, vendosëm që ai nuk është në gjendje për të luajtur, ndaj u kthye atje për t’u ndjekur nga stafi i klubit anglez. Duhet shumë kujdes pas një dëmtimi si ky, ndaj është më mirë që ta ndjekin mjekët e Çellsit. Kjo është 100% e saktë mbi atë që ka ndodhur”, është shprehur trajneri brazilian i Shqipërisë.