Simboli i luanit mbetet ndër opsionet për stemën e re

Simboli i luanit mbetet ndër opsionet për stemën e re

Gazetar: Suad Bajrami

Deputeti Antonio Milloshoski në intervistën për Alsat pranoi se një ndër propozimet që janë në tavolinë për stemën e re të shtetit është luani, pasi siç tha, i njëjti ka lidhje historike me këtë vend.

Sipas tij, megjithatë për këtë çështje nuk duhet nxituar dhe duhet të arrihet konsensus më i gjerë.

“Ndoshta jo aq konkret, por simbolin që e përmendët është në lojë. Domethënë ky simbol. Pra është një prej simboleve që në mënyrë heraldike, nëse shkojmë sipas shkencës heraldike është një prej simboleve që e ka shënuar këtë territor dhe ka lidhje historike me të njëjtën. Por ajo që është qëllimi ynë, është që për këtë punë të arrihet konsensus sa më i gjerë. Çështja nuk është për t’u shpejtuar”, tha Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-DPMNE.

Megjithatë, Afrim Gashi nga VLEN, në intervistë për 360 theksoi se nuk duhet të kthehemi mbrapa në histori për të përcaktuar stemën. Sipas tij, zgjidhja duhet të jetë në vlerat e sotme të shtetit.

“Mendoj se megjithatë, është çështje që liderët ta diskutojnë mes tyre”.
“Unë nuk do të hyja në diskutime të tilla që të kthehemi në heraldikë apo histori, popujt tanë në antikitet apo mesjetë se çfarë simbole kanë pasur. Ne duhet të flasim sot çfarë është e mirë për shtetin tonë. Çfarë shteti duam të ndërtojmë, ku e shohim shtetin tonë, cilat vlera duam t’i kemi”, u shpreh Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.

Propozimi që e kanë ofruar në opinion të gjithë liderët e VLEN-it, që bashkë me stemën e re, të gjendet zgjidhje edhe për çështjet tjera të hapura siç është himni shtetëror apo formulimi 20% për gjuhën shqipe dhe shqiptarët në Kushtetutë, për VMRO-DPMNE-në nuk është i pranueshëm.

“Pra kuptoj që ju, për dallim nga VLEN, jeni kundër që të ndryshohet 20 përqindëshi? Pra, ne jemi në mënyrë të përgjithshme, ai është mendim i im si deputet, vlerësoj se do të duhej, tërësia e Marrëveshjes së Ohrit dhe ajo që është përcaktuar si parim, fraza, definicione, të drejta dhe obligime ndaj shtetit të ruhen ashtu siç janë”, u shpreh Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-DPMNE.

Çështja e stemës është rihapur pas një dekade, kur BDI-ja dhe VMRO-DPMNE-ja e udhëhequr nga Nikolla Gruevski, ranë dakord që luani të jetë simbol shtetëror për çka, BDI-ja theksonte në opinion se i njëjti është edhe simbol shqiptar.

Ekspertët, vlerësojnë se rikthimi i ideve për stema me luan apo motive nacionaliste maqedonase do të hapte një kapitull etnonacionalist nga i cili mund të nxisin tensione ndëretnike./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button