Simeone: Barcelona ishte superiore, ne ishim të lodhur nga sfida e Ligës së Kampionëve

Diego Pablo Simeone ishte i zhgënjyer në fund të ndeshjes Atlеtiкo Madrid-Barça 0-3, e luajt në “Civitas Metropolitano”. Katalanasit fituan një duel të rëndësishëm në garën për vendin e dytë, por ndoshta edhe më shumë.
“Barça ishte superiore, ishte e fortë kur bëhej fjalë për të përfituar nga mundësitë. Sa na përket ne, kishim raste të rëndësishme për shënim. Nuk kishte ndodhur shumë në mbrojtjen tonë, ndaj goli i dytë na nxori direkt nga loja,” tha Simeone në mikrofonat e ‘DAZN’.
Simeone theksoi se të tijtë kishin vuajtur nga konsumimi i tepërt fizik në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Interit.
“Ne vinim nga një përpjekje e madhe, nuk kam asgjë për t’u ankuar nga lojtarët e mi. Duhet të vazhdojmë të shtyjmë për vendin e katërt, i cili nuk do të jetë i lehtë për t’u arritur. Nuk duhet të kërkojmë justifikime, realiteti është ai që është. Kishim 120 minuta të bukura, dhamë gjithçka ndaj Interit, por goli i dytë na mori energjinë që kishim për të vazhduar shtytjen. Katalanasit ishin të fortë dhe ne duhet t’i përgëzojmë,” shtoi trajneri argjentinas.
“Ne nuk po mendojmë për një gjysmëfinale (në Ligën e Kampionëve) kundër Barçës. Tani duhet të rikuperojmë energjitë dhe të përgatitemi për ndeshjen kundër Viljarrealit,” tha në fund Simeone.