Sistemi “VAR” shkaktarë për plagosjen me thikë të një tifoz të Napolit?!
Një ngjarje e rëndë është raportuar gjatë transmetimit të ndeshjes mes Atalantas dhe Napolit, ku një 40-vjeçar, tifoz i Napolit, mbeti i plagosur me thikë në banesën e tij.
Sipas raportimeve, incidenti ndodhi pasi sistemi VAR anuloi një penallti në favor të Napolit. I zhgënjyer nga vendimi, burri ka nisur të bërtasë dhe të shajë drejt televizorit. Bashkëshortja e tij, 35 vjeçe, dyshohet se ka menduar se fyerjet ishin të drejtuara ndaj saj, çka ka çuar në një debat që u përshkallëzua me shpejtësi.
Fillimisht ajo ka hedhur një palë gërshërë, ndërsa më pas ka marrë një thikë kuzhine, duke e goditur bashkëshortin në pjesën anësore të trupit. Në vendngjarje janë gjetur disa thika. Policia ka ndërhyrë menjëherë, duke arrestuar gruan. 40-vjeçari është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave./Indeksonline/








