Situata në Ukrainë mbetet e tensionuar

Gazetar: Semra Musai 

Duma ruse ratifikoi në mënyrë unanime marrëveshjet siç i quajti për miqësi, bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellë me Republikat Popullore të vetëshpallura  Donjeck dhe Luhansk. Një hap i tillë vjen, pas vendimit të djeshëm të presidentit rus Vlladimir Putin për të njohur pavarësinë e këtyre rajoneve në lindje të Ukrainës.

“Në bazë të marrëveshjes palët do të bashkëpunojnë në fushën e politikës së jashtme, për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë përfshirë asistencën e ndërsjellë, përfshirë ushtarake, duke i dhënë të drejtë të ndërtojnë, përdorin dhe zhvillojnë infrastrukturën ushtarake dhe bazat ushtarake në territorin e tyre”, tha Andrej Rudenko, zv/ministër i Jashtëm i Rusisë

Por Presidenti i Ukrainës theksoi se pavarësisht veprimeve të fundit kufijtë e Ukrainës mbeten të pandryshuar. Ai i bëri thirrje Rusisë që situata të zgjidhet me dialog.

“Ne besojmë se nuk do të ketë luftë në përmasa të gjera ndaj Ukrainës dhe se nuk do të përshkallëzohet situata në masë të gjerë nga ana e rusëve. Por nëse kjo ndodh, do të aktivizojmë ligjin ushtarak”, tha Vllodimir Zelenski, President i Ukrainës

Zhvillimet e fundit në Ukrainë çuan në këmbë liderët botërorë dhe organizatat ndërkombëtare. Ata dënuan vendimin e presidentit Putin dhe vendosën një sërë sanksionesh të ashpra kundër Moskës. Goditja e parë erdhi nga Gjermania e cila pezulloi certifikimin e gazsjellësit “Përroi Verior 2”. Projekti synonte dërgimin e gazit rus në Gjermani.

“Pa këtë certifikatë, “Përroi Verior 2” nuk mund të vihet në funksion. Në këtë stad, është me rëndësi parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm dhe një katastrofe si pasojë”, shkruan Olaf Shollc, kancelar i Gjermanisë

Kryeministri britanik Boris Xhonson nga ana tjetër njoftoi se sanksionon pesë banka ruse dhe tre individë të pasur.

“Sot, Mbretëria e Bashkuar po sanksionon pesë bankat ruse: Rossiya, IS Bank, General Bank, Promsvyazbank dhe Black Sea Bank. Ne po ashtu po sanksionojmë tre individë me të ardhura të larta”, tha Boris Xhonson, kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i SHBA-së. Presidenti amerikan Bajden lëshoi një urdhër ekzekutiv i cili do të “ndalojë çdo investim të ri, tregtinë dhe financimin nga Shtetet e Bashkuara të personave të lidhur me dy provincat e kontrolluara prej vitesh tashmë nga mbështetës të Moskës, Donjeck and Luhansk. Uashingtoni shtoi se masa akoma më të ashpra do të pasojnë nëse Moska fillon një sulm të përgjithshëm mbi Ukrainën. Ndërsa e gjithë bota po pret hapat e ardhshëm të Putinit, zëdhënësi i tij tha se Kremlini mbetet i interesuar që zgjidhja të gjëndër përmes diplomacisë.

 

LEXO EDHE:

Back to top button