Situata në Zaporizha mbetet kritike

Situata në Zaporizha mbetet kritike

Situata në afërsi të centralit bërthamor Zaporozhia në Ukrainë mbetet kritike. Autoritetet kanë shpërndarë tableta jodi për banorët pranë centralit, në rast të një rrjedhjeje të mundshme radioaktive. Presidenti ukrainas tha se pasiguria vazhdon, ndërsa përsëritja e incidentit me shkyçjen e rrjetit nga centrali do të ishte hap drejt katastrofës.

Autoritetet ukrainase filluan shpërndarjen e tabletave të jodit për banorët pranë centralit bërthamor të Zaporozhias në Ukrainë, në rast të një rrjedhjeje të mundshme radioaktive, mes frikës në rritje se luftimet rreth impiantit mund të shkaktojnë një katastrofë bërthamore. Vendimi erdhi pasi centrali u fik përkohësisht për shkak të asaj që zyrtarët thanë se ishte dëmtim nga zjarri në një linjë transmetimi. Incidenti rriti frikën për një katastrofë bërthamore në një vend ende të përndjekur nga shpërthimi i vitit 1986 në Çernobil. Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski tha se situata rreth Centralit më të madh bërthamor në Evropë në Zaporozhia mbetet e rrezikshme. Sipas tij përsëritja e shkyçjes së rrjetit elektrik do të thotë një hap më afër katastrofës.

“Dua të theksoj se situata mbetet e pasigurt dhe e rrezikshme. Çdo përsëritje e ngjarjeve, përkatësisht çdo shkëputje nga rrjeti ose çdo veprim i Rusisë që mund të shkaktojë mbylljen e reaktorëve, do të thotë një hap larg katastrofës. Kjo është arsyeja pse është thelbësore që misioni i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore të arrijë në centralin bërthamor sa më shpejt të jetë e mundur dhe të ndihmojë në mbajtjen e centralit nën kontrollin e përhershëm të Ukrainës”, tha Volodimir Zelenski, president i Ukrainës.

Ndërkohë Rusia ka bllokuar një marrëveshje të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që kishte për qëllim forcimin e traktatit për mospërhapjen e armëve bërthamore, sepse Moska kundërshtoi një klauzolë për kontrollin e termocentralit Zaporizhzhia. Dështimi për të rënë dakord për një deklaratë të përbashkët pas katër javësh debatesh dhe negociatash midis 151 vendeve në OKB në Nju Jork është goditja më e fundit ndaj shpresave për të ruajtur një regjim të kontrollit të armëve. Seanca u shty për më shumë se katër orë për shkak të refuzimit të Rusisë,  e cila përfshinte një referencë për termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, i cili është i pushtuar nga forcat ruse. Alarmi u ngrit të enjten kur u ndërpre përkohësisht rrjeti elektrik i termocentralit. Forcat ruse thuhet se po planifikojnë të shkëpusin centralin përgjithmonë nga rrjeti ,duke ngritur shqetësimet për një fatkeqësi të mundshme. Në një paragraf në draftin përfundimtar të tekstit theksohet rëndësia  kryesore e kontrollit nga autoritetet kompetente të Ukrainës të objekteve bërthamore, siç është termocentrali bërthamor i Zaporizhzia.

 

LEXO EDHE:

Back to top button