S’ka objekt të ri për nxënësit e Kllukovecit

Në shkollën periferike “Vasill Gllavinov” të fshatit Kllukovec të Velesit po vazhdon të realizohet mësimi në kushte të mjerueshme. Gjatë periudhës së pandemisë kur shkollat ishin gjysmë të zbraztë, Institucionet kompetente nuk shfrytëzuan as edhe një moment për nisjen e ndërtimit të godinës së re shkollore që tashmë sa vjet premtohet nga Komuna e Velesit. Nga kjo e fundit shfajësohen duke thënë se punimet ndërtimore për objektin e ri nuk mund të fillojnë derisa nga parcela ku duhet ndërtuar shkolla nuk largohet një objekt i kafshëve.

Kemi dy zgjidhje. Njëra, të veprojmë sipas ligjit dhe të rrënohet si objekt I jashtëligjshëm, stalla që hyn në parcelën e kadastrës që është caktuar për shkollë. Mënyra tjetër dhe më e mirë është të gjejmë gjuhë të përbashkët me ndihmën e fshatarëve, të largohet stalla që të mund të japim leje për ndërtim dhe punimet të fillojnë”- deklaroi Ace Kocevski, kryetar I Velesit.

Ndërsa kreu i Velesit nuk paralajmëron zgjidhje të shpejtë të problemit, banorët e fshatit Kllukovec shprehen të shqetësuar për fatin e fëmijëve të tyre. Ish mësuesi, Remzi Shemsedini tha për Alsat se godina momentale e shkollës rrezikon të shembet çdo moment.

Mjetet janë ndarë, ka mjete, projekti është realizuar, vetëm vullneti i kryetarit të komunës Ace Kocevski nuk është që të filloj të ndërtohet. Në këtë kohë pandemie ku pat mundësi, fëmijët mësonin online, qëndrojnë në shtëpi, mjetet e siguruara, projekti I realizuar, vetëm vullneti I një kryetari anti shqiptar nuk është që të bëhet një e mirë ose të afrohen kushte minimale për fëmijët shqiptar ose për bashkëqytetarët e tij në këtë vend”- pohoi Remzi Shemsedini, ish mësues.

Në shkollën fillore “Vasill Gllavinov” në Kllukovec mësojnë rreth 50 nxënës nga klasa e parë e deri në atë të pestë. Pikërisht, për shkak të kushteve të vështira për mësim, çdo fillim viti shkollor nxënësit bojkotojnë mësimin për javë të tëra.

Melihate Rustemi

LEXO EDHE:

Back to top button