S’ka rishikim të kushteve për integrimin në BE

Gazetar: Suad Bajrami

Maqedonia e Veriut e pret raportin e ri të Komisionit Evropian në periudhë ngërçi me Bullgarinë. Ndryshimet kushtetuese mbeten në qendër të procesit të integrimit evropian, ndërsa paralelisht kërkohet përparim në reformat që lidhen me anëtarësimin. Andrea Stojkovski nga Instituti Prespa vlerëson se mundësia për rishikimin e kushteve të dakorduara është praktikisht e pamundur. Çdo ndryshim i kornizës negociuese do të kërkonte sërish pajtimin e të 27 vendeve anëtare dhe do të mund të hapte çështje e kërkesa të reja.

“Nuk jam i sigurt se shteti është në kondicion përkatës në aspektin e reformave, në lidhje me harmonizimin e ligjvënësit, jo vetëm të marrjes në ligjvënësin maqedonas, por edhe në zbatimin e saj që të flasim për mundësi për ndonjë kornizë të re negociuese dhe ndryshim. Pasi çdo hapje e kornizës negociuese nënkupton bisedime me 27 vende anëtare dhe në atë rast mund të paraqiten një numër i pacaktuar i çështjeve tjera të cilat do të qëndrojnë në tavolinë”. – Andrea Stojkovski, Instituti Prespa.

Gjatë periudhës së kaluar, Shkupi zyrtar ka kërkuar ndërmjetësimin e Brukselit për t’i bërë presion Sofjes që të zbatojë vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me të drejtat e maqedonasve në Bullgari. Por ekspertët paralajmërojnë se vendosja e kësaj çështjeje në procesin e integrimit mund të sjellë tema të reja në një agjendë tashmë të ngarkuar.

“Ajo është një çështje e re të cilën ne vetë e vendosim. A jemi të gatshëm në tërësi për një bisedë të tillë dhe nëse vendosim ne temë të re në bisedime, a nuk do të marrim temë tjetër edhe nga pala tjetër? Dhe në këtë rast, do të kapemi në situatë të shtimit të temave të reja, edhe ashtu në peshoren e mbingarkuar të balancimit të bisedimeve mes Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian. Nuk ka hapësirë për bisedime të reja dhe ndryshime dhe mendoj se ajo është tërësisht e gabuar, e paarsyeshme, joracionale dhe madje edhe në dëm të shtetit”. – Andrea Stojkovski, Instituti Prespa.

Çështja e ndryshimeve kushtetuese, respektivisht futjes së bullgarëve në Kushtetutë, ishte theksuar edhe në raportin e fundit të progresit për Maqedoninë e Veriut, në të cilin u theksuan si kusht i domosdoshëm për vazhdimin e rrugës eurointegruese./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button