S’ka sot vendim për Ligjin për Gjuhët, kushtetuesja kërkon seancë përgatitore

S’ka sot vendim për Ligjin për Gjuhët, kushtetuesja kërkon seancë përgatitore

Gazetar: Suad Bajrami

Gjykata Kushtetuese miratoi vendim që për “Ligjin e Gjuhëve” të mbahet seancë përgatitore, në të cilën do të dëgjohen mendimet e ekspertëve “pro” dhe “kundër”, në lidhje me dispozitat kontestuese të tij. Data për caktimin e seancës do të konstatohet përfundimisht në seancën e radhës, kur gjykatësja raportuese Elizabeta Dukovska do të duhet të përgatisë një listë me çështjet më të diskutueshme dhe emrat e juristëve më me emër në shtet, të ftuar në dhënin e mendimeve. Propozimi i tillë erdhi pikërisht nga gjykatësja raportuese, e cila theksoi nevojën që, së pari të dëgjohen mendimet “pro” dhe “kundër”. Propozimi u mbështet nga të gjithë anëtarët, përfshirë dhe kryetarin Darko Kostadinovski. Por, e vetmja që kundërshtoi ishte gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila madje u përplas me gjykatësen Ana Pavllovska-Daneva. Kacarska vlerësonte se nuk duhet të na tregojë dikush se çfarë vendimi të marrim për çështje që vetë gjykatësit kushtetues duhet t’i dinë. Sipas Danevës, seanca përgatitore duhet të mbahen për lëndë që kanë të bëjnë me çështje më profesionale për mjekësi, ndërtimtari e të tjera. Megjithatë, të gjithë gjykatësit e tjerë nuk e mbështetën Kacarskën, pasi sipas tyre, lënda është mjaft e ndjeshme dhe është me rëndësi që të dëgjohen palët, pasi kjo do të ndihmonte dhe në transparencën dhe besueshmërinë e qytetarëve ndaj Gjykatës Kushtetuese. Kryetari Darko Kostadinovski tha se çështja është mjaft e komplikuar, prandaj duhet të ketë edhe mendime të ekspertëve, sidomos lidhur me mënyrën se si do ta interpretojë Gjykata Kushtetuese amendamentin 5 të Kushtetutës, në të cilin gjuhë zyrtare në shtet, krahas maqedonishtes është edhe gjuha tjetër që e flasin të paktën 20% e qytetarëve të vendit. Seancën e sotme, sikurse ishte paralajmëruar në ALSAT, e bojkotuan gjykatësit shqiptarë Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, si një lëvizje për të parandaluar votimin për nisjen e mundshme të procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë, apo edhe mbivotimin e mundshëm të tyre si në rastin e shfuqizimit të Balancerit. Gjykatësi i komunitetit turk, Fatmir Skender, braktisi gjithashtu seancën, duke propozuar që në fillim, shtyrjen e saj – kërkesë kjo e refuzuar njëzëri nga gjashtë gjykatësit e tjerë.

Gjykatësi Kadriu, në daljet e tij publike iu referohej konkluzës së miratuar më herët nga Gjykata Kushtetuese, që për rastin e “Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve” duhet të vendoset me përbërje të plotë të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, kryetari i Gjykatës Darko Kostadinovski, por edhe gjykatësja Dobrilla Kacarska, sot për këtë çështje thanë se konkluza është miratuar në kohën kur Gjykata Kushtetuese ka punuar me vetëm pesë gjykatës nga gjithsej nëntë. Sipas tyre, konkluza ka të bëjë me faktin e zgjedhjes së 9 anëtarëve të Gjykatës, por jo me faktin nëse anëtarët e zgjedhur duhet të marrin pjesë ose në seancë. Gjykatësja Tanja Vasiq-Bozaxhieva tha që çështjet nuk zgjidhen në rrugë dhe nëpër tenda, por në Gjykatën Kushtetuese. Bozaxhieva porositi gjykatësit Kadriu, Ajdari dhe Skender që të marrin pjesë në seancën përgatitore. Lënda për “Përdorimin e Ligjit të Gjuhëve”, e cila është formuar nga 13 iniciativa të dhjetëra qytetarëve, profesorëve dhe partive maqedonase, ishte mbajtur për 5 vite me radhë në sirtar. Dorëzuesit e iniciativave kontestojnë tërë ligjit, përveç paragrafit 1 të nenit 1 që thotë se “gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare”. Kontestohet edhe vetë emri i ligjit, por edhe shpallja e tij në Gazetën Zyrtare pa firmën e presidentit të atëhershëm Gjorge Ivanov. Megjithatë, nenet më të diskutueshme që përfliten prej kohësh se mund të bien në gijotinën e Kushtetueses janë ato për përdorimin e shqipes në kartëmonedha, procedura gjyqësore dhe uniforma. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button