S’ka zgjidhje, dështon sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës
S’ka zgjidhje, dështon sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për të nëntëmbëdhjetën herë me radhë që ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Ligjbërësit refuzuan për të njëmbëdhjetën herë rresht që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës – sipas një propozimi të bërë më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post. Dështimi i radhës ndodhi një ditë pasi kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqës i LVV-së, Albin Kurti, ngulmoi se kandidatura e Haxhiut për kryetare të Kuvendit është vendim i partisë dhe se ajo nuk do të tërhiqet. PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe refuzuan sërish që ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë. Ato thonë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.
“Bllokuesit e vetëm janë partitë që nuk marrin pjesë në votim. Mbi të gjitha që nuk asnjë perspektivë mbi atë që se si mund të shkojë ky proces, në kohën kur fillimisht kanë deklaruar siç ishte rasti me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku që mezi presin që të bëhet konstituimi i Kuvendit. Ndërsa aktualisht kanë qëndrimin se nuk marrin pjesë në votim për asnjë kandidat të LVV-së, partisë që i takon kryetari i Kuvendit”, tha Mimoza Kusari Lila, Kryetare e Alternativës.
“Fakti që çon dorën në Kuvend dhe merr vendim si deputet, edhe shkon e çon dorën në qeveri, besoni është kriminale. Nuk mundet deputeti që voton në legjislaturë, të votojë edhe në qeveri. Këtij po i zbulohet mashtrimi. Është mashtrues. Po i del mashtrimi. Nuk i ka numrat, prandaj po manovron. Ne i kemi dhënë zgjidhje Kosovës. I kemi premtuar votë për kandidat konsensual”, u shpreh Ramush Haradinaj, AAK. /Alsat.mk