Skadon afati i gjykatësit Bexhetit për ankimimin e shkarkimit

Skadon afati i gjykatësit Bexhetit për ankimimin e shkarkimit

Gazetar: Mihajllo Donev

Gjykatësi i Apelit Enver Bexheti, kundër të cilit Këshilli Gjyqësor vendosi në seancë të mbyllur që ai të shkarkohet, ka të drejtë ta ankimojë këtë vendim, por nuk ka nevojë ta paraqesë atë në Këshill. Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, thotë se Bexheti duhet ta paraqesë ankesën në këshill të posaçëm apeli, të përbërë nga disa gjyqtarë.

“Çdo gjykatës që shkarkohet ka të drejtë të ankohet, më saktë në Këshillin e apelit të Gjykatës Supreme në vend. Kjo nuk do të thotë Gjykata supreme, por në këshill të posaçëm apeli të përbërë nga gjykatës suprem, gjykatës të apelit dhe gjykatës nga Gjykata Themelore”, deklaroi Aleksandar Kambovski, Kryetar i Këshillit gjyqësor.

Nga Gjykata Supreme, edhe pse dërguam pyetje, për momentin nuk ka përgjigje nëse Bexheti ka dorëzuar ankesë, por nëse e shfrytëzon këtë mjet juridik, atëherë procedura duhet të kalojë në disa faza. Bexheti ka të drejtë që brenda afatit prej 8 ditësh të ankohet në Këshillin e Ankesave, ndërsa ky këshill, pas pranimit të ankesës eventuale, duhet të mblidhet brenda 10 ditëve dhe pas mbledhjes, brenda afatit prej 30 ditësh të sjellë vendim. Në rast të tillë, Këshilli mund ta konfirmojë ose ta anulojë vendimin e Këshillit Gjyqësor. Nëse vendimi i Këshillit Gjyqësor anulohet, atëherë procedura përsëritet, ndërsa nëse konfirmohet, atëherë gjyqtari nuk ka të drejtë për ankesë të re dhe automatikisht vendimi për shkarkimin e Bexhetit bëhet ekzekutiv. Sipas përllogaritjes së afateve në procedurë, për vendim përfundimtar do të duhet të pritet maksimumi 48 ditë. Këshilli Gjyqësor deri më tani nuk ka dalë publikisht me arsyetim zyrtar për vendimin për shkarkimin e Bexhetit, gjyqtarit që në fund të vitit të kaluar përfundoi në listën e zezë të SHBA-ve për shkak të përfshirjes në mitmarrje dhe korrupsion në lëndën që ka të bëjë me ish-shefin e DSK-së, Sasho Mijallkov. Pikërisht për lëndë që ka të bëjë me Mijallkovin, përkatësisht për lëndën e përgjimit masiv ilegal të njohur për publikun si “Target-Fortesa”, Këshilli Gjyqësor para dy vitesh konstatoi se Bexheti këtë lëndë e kishte mbajtur në sirtar padrejtësisht për nëntë muaj, megjithatë, atëherë anëtarët e këshillit vendosën t’i shqiptojnë vetëm dënim me para. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button