Skaloni: Ende nuk kemi vendosur se a do të jetë Mesi titullar ndaj Kilit

Trajneri i Argjentinës, Lionel Skaloni, ka lënë të hapur mundësinë që kapiteni Lionel Mesi të mos jetë titullar në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës ndaj Kilit. Me “gauçosët që tashmë e kanë siguruar pjesëmarrjen në “Botërorin 2026”, fokusi i Skaloni është orientuar drejt testimit të lojtarëve të rinj.

 

“Ende nuk kemi vendosur nëse Messi do të luajë nga fillimi. Do të donim të dinim si ndihet fizikisht. Në parim, është i gatshëm, por vendimin do ta marrim më vonë”, ka deklaruar Scaloni në një konferencë për media.

 

Kjo qasje vjen në një moment kur disa prej titullarëve të zakonshëm janë të lënduar ose të pezulluar, ndërsa Argjentina do të përballet me Kilin, ekip që renditet në fund të tabelës në kualifikimet e Amerikës së Jugut.

Trajneri kampion bote e sheh këtë sfidë si mundësi për të eksperimentuar me lojtarë të rinj, veçanërisht duke pasur parasysh përgatitjet për Kupën e Botës që do të zhvillohet verën e ardhshme në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

“Nëse ata që kemi ftuar janë në formë, do ta kenë shansin e tyre. Disa kanë luajtur pak, por mendojmë se janë gati. Edhe pse rezultati është i rëndësishëm, nuk është vendimtar për ne në këtë fazë”, ka shtuar Skaloni.

Ai ka theksuar se mentaliteti i ekipit nuk ka ndryshuar, dhe se çdo ndeshje është një mundësi për rritje dhe konsolidim.

Në fund, Skaloni ka komentuar edhe emërimin e Karlo Ançelotti në krye të përfaqësueses së Brazilit, duke e përshkruar italianin si një nga trajnerët më të mirë të epokës moderne.

“Më pëlqen shumë si njeri dhe si profesionist. Do të sjellë përvojë dhe do ta ngrejë edhe më lart nivelin e Brazilit. I uroj të gjitha të mirat, është i mirëpritur në kontinentin tonë”, ka thënë ai.

LEXO EDHE:

Back to top button