Skeleti 1000-vjeçar zhvendoset në muze pas gjashtë vitesh lënë pas dore
Skeleti 1000-vjeçar zhvendoset në muze pas gjashtë vitesh lënë pas dore

Një skelet njerëzor rreth 1000-vjeçar, i zbuluar në shtetin perëndimor të Gujaratit në Indi, është zhvendosur më në fund në një muze lokal, gjashtë vjet pas gërmimit të tij. Deri më tani, ai ishte lënë në kushte të papërshtatshme, brenda një tende të improvizuar pranë vendit të gjetjes, për shkak të mosmarrëveshjeve burokratike. Sipas BBC-së, zbulimi i rrallë ishte lënë i pambrojtur nga viti 2019, pavarësisht vlerës së tij historike dhe shkencore.
Autoritetet indiane njoftuan se skeleti është transportuar me kujdes maksimal në Muzeun Arkeologjik të Përvojës në Vadnagar dhe aktualisht ndodhet pranë zonës së pritjes, i rrethuar nga një barrierë mbrojtëse. Pas përfundimit të procedurave administrative, pritet të vendoset në ekspozitë për publikun. Kuratori i muzeut, Mahendra Surela, bëri të ditur se ekspertët e Sondazhit Arkeologjik të Indisë (ASI) po shqyrtojnë se ku dhe si do të shfaqet skeleti në mënyrë të denjë.
Arkeologu Abhijit Ambekar, i cili zbuloi skeletin, shprehu kënaqësinë që zbulimi më në fund po trajtohet me vëmendjen e duhur. Ai e ka cilësuar atë si një gjetje të rrallë, duke theksuar se mbetje të ngjashme janë identifikuar vetëm në tri vende të tjera në Indi. Sipas ekspertëve, skeleti i përket periudhës së dinastisë Solanki, e njohur për sundimin e saj në Gujarat midis viteve 940 dhe 1300 të erës sonë.
Ambekar shpjegoi se ruajtja e mirë e skeletit lidhet me dheun e paprekur që ndodhej përreth, ndërsa sugjeroi se mbetjet mund të ndihmojnë në kuptimin e një praktike të lashtë varrimi të quajtur “samadhi”, ku figurat e nderuara nuk digjeshin, por varroseshin në pozicion të veçantë.