Skenari i duhur për Shqipërinë në Ligën e Kombeve
Padyshim që përballja me Çekinë është një sprovë e forte për Shqipërinë, sidomos për renditjen në grup, duke qenë se këtë format, mund të luash edhe me kombëtaret e përmendura sipër, por mund të përfundosh edhe në Ligën C, duke u përballur me ekipe më të dobëta. Megjithatë, nëse do të bënim disa llogari përpara ndeshjes, se çfarë i duhet Shqipërisë, mund të qartësojmë më shumë situatën në grupin tonë.
Shqipëria do të merrte një fitore me Çekinë dhe shkon 9 pikë, Çekia mbetet 7 dhe nëse Gjeorgjia barazon me Ukrainën, rezultat që na shkon për shtat, gjeorgjianët do të shkonin 7 pikë sa çekët dhe Ukraina vetëm 5 pikë. Në ndeshjet e fundit, Çekia pret në shtëpi Gjeorgjinë, të dyja janë nga 7 pikë dhe barazimi nuk i vlen askujt për vendin e parë. Nëse ai takim përfundon barazim, Shqipëria edhe sikur të humbasë me Ukrainën, mbetet në krye.
Nëse Çekia do të fitonte në ndeshjen e dytë, do të shkonte në kuotën e 10 pikëve, ndërsa Gjeorgjia mbetet 7, dy më pak sesa përfaqësuesja jonë që çfarëdo rezultati të merrte me Ukrainën, vendi i dytë do të ishte i garantuar. Pra, nëse kuqezinjtë fitojnë me Çekinë ndeshjen e parë dhe Gjeorgji-Ukrainë përfundon barazim, Kombëtarja jonë siguron vendin e dytë automatikisht dhe lufton për kreun në ndeshjen me Ukrainën. Padyshim që ky do të ishte skenari më i favorshëm për ekipin e Silvinjos.
Nëse të dyja takimet e para të grupit do të përfundonin barazim, atëherë llogaritë do të ishin sërish të hapura. Çekia 8 pikë, Gjeorgjia 7, Shqipëria 7 dhe Ukraina 5. Në dy ndeshjet e fundit më pas, Çeki-Gjeorgji dhe Shqipëri/Ukrainë, kuqezinjtë duhet të shmangin humbjen pasi do të zbrisnin në vendin e fundit, sido që të dalë ndeshja tjetër. Nëse ekipi i Silvinjos barazon, për vendin e dytë duhet që Çekia të fitojë me Gjeorgjinë në shtëpi dhe Shqipëria kalon një pikë mbi ta. Nëse kuqezinjtë fitojnë me Ukrainën, sido që të jetë rezultati i takimit tjetër, minimalisht vendi i dytë është i siguruar.