Sindikata e skenaristëve të Hollivudit tha se anëtarët e saj mund të kthehen në punë ndërsa vendos nëse do të pranojë një marrëveshje trevjeçare që përfshin rritje pagash, mbrojtje kundër përdorimit të inteligjencës artificiale dhe honorare nga transmetimi i shfaqjeve dhe filmave.
“Udhëheqja e Shoqatës së Skenarëve të Amerikës (WGA) votoi njëzëri të mërkurën për t’i dhënë fund grevës,” tha shoqata në një deklaratë. Anëtarët, numri i të cilëve është rreth 11500, kanë afat deri më 9 tetor për të votuar marrëveshjen e propozuar.
Shkrimtarët e filmit dhe televizionit u larguan nga puna në maj pasi nuk arritën një marrëveshje me studiot kryesore duke përfshirë Walt Disney, Warner Bros. Discovery dhe Netflix.

Skenaristët duket se kanë marrë koncesione në të gjithë bordin, me rritje të tarifave gjatë marrëveshjes paraprake trevjeçare, rritje të kontributeve shëndetësore dhe pensioneve dhe masa mbrojtëse kundër inteligjencës artificiale (AI).
Sipas marrëveshjes kuadër të arritur të dielën, inteligjenca artificiale nuk mund të përdoret për të minuar autoritetin e skenaristëve. Skenaristët mund të zgjedhin të përdorin inteligjencën artificiale në zhvillimin e skenarit, por kompania nuk mund të insistojë në përdorimin e softuerit.