Skender Rexhepi-Zejd, mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të shpallur jokushtetuese kategoritë e popullsisë “rezidente” dhe “jorezidente”
Skender Rexhepi-Zejd, mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të shpallur jokushtetuese kategoritë e popullsisë "rezidente" dhe "jorezidente"

Gazetar: Mihajllo Donev
Deputeti i Frontit Europian, Skender Rexhepi-Zejd, që inicioi nismën në Kushtetuese për regjistrimin e popullsisë, kërkon gjithashtu hetim nëse ish Qeveria është përgjegjëse për zbatimin e regjistrimit të vitit 2021. Rexhepi tha për Alsat se përveç ish-zyrtarëve të lartë të Entit Shtetëror të Statistikave, organet hetuese do të duhet të kontrollojnë edhe se si ka vepruar Qeveria e mëparshme.
“Epo, kjo duhet parë, nëse ishte vetëm nismë e tyre, nëse ishte në përputhje me ndonjë vendim qeveritar në atë kohë. Pra, besoj se autoritetet e prokurorisë do të bëjnë hapin e tyre përpara. Edhe atëherë, ne ishim kundër ndarjes së këtillë, unë isha koordinatori i opozitës dhe ishim të qartë se nuk duhet të ketë diskriminim ndaj qytetarëve sepse kushtetuta garanton që çdo qytetar i Maqedonisë së Veriut ka të njëjtat të drejta. Dhe ligji i regjistrimit të popullsisë thoshte të njëjtën gjë – se çdo qytetar do të numërohet pavarësisht nëse jeton brenda apo jashtë vendit gjatë regjistrimit”, tha Skender Rexhepi- Zejd, deputet.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi me nismën e vetë Rexhepit, i cili 8 muaj më parë i kërkoi Gjykatës të shqyrtonte kushtetutshmërinë e ndarjes së popullsisë në “rezident” dhe “jorezident”. Sipas tij, Kushtetuesja tani ka marrë vendimin e duhur dhe thotë se drejtësia është vënë në vend, por vetëm pjesërisht.
“Drejtësia është vënë në vend, megjithëse pjesërisht për shkak të faktit se nuk vlen në mënyrë retroaktive, por kudo që të jetë, ne do të vazhdojmë të jemi në gjendje të shprehim pikëpamjet tona mbi vendimet politike. Është e rëndësishme që diskriminimi i qytetarëve në bazë të territorit midis banorëve rezident dhe jorezident të jetë ndalur. Kjo praktikë nuk do të ekzistojë më”, shtoi Skender Rexhepi- Zejd, deputet.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të zbatohet që nga momenti i publikimit në “Gazetë Zyrtare” dhe nuk lë hapësirë për anulimin e rezultateve ose pasojave të regjistrimit të kryer në vitin 2021. Qeveria tashmë ka njoftuar se do të kërkohet përgjegjësi penale nga ish-drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostol Simoski, dhe zëvendësi i tij Ilmi Selami, ndërsa Mickoski tha gjithashtu se do të jetë e nevojshme të hetohet nëse ka përgjegjësi penale edhe në qeverinë e mëparshme./Alsat.mk