Alban Elezi Cannaferina ka arritur sukses shumë të madh. Ai është renditur i treti në garën e skijimit alpin në Shladming të Austrisë, të cilën e fitoi zvicerani Loik Meillard, ndërsa braziliani Lukas Pineiro Braten u rendit i dyti.
Alban Elezi Canaferina është djali i Adnan Elezit, ish-mundësit të njohur shqiptar nga Maqedonia e Veriut. Nëna e Albanit është franceze, profesoreshë e Edukatës Fizike dhe instruktore skijimi. Albani mban mbiemrat e të dy prindërve. Për Elezin ishte përfundimi i parë në “Top-10” në garat e Kupës së Botës në skijim alpin.

“Është e mahnitshme për mua, përvojë e jashtëzakonshme. Podiumi im i parë në Schladming. Isha këtu me shumë përkrahës. Shpresoj se do të jem në Lojëra Olimpike”, ka thënë Elezi Cannaferina pas garës.
I lumtur me vendin e tretë në Austri është edhe Adnan Elezi, i cili për shkak të obligimeve në vendin e punës ai nuk ishte në garë.

“Medalja në Kupën e Botës ka mundur të fitohet edhe para dy vjetësh. Prej moshës 10-vjeçare Albani ka shfaqur nivel shumë të lartë. Njërin lëshim vazhdimisht e ka pasur shumë të mirë dhe e kemi ditur që kur lidhen dy lëshime të mira do të vijë medalja. Në stërvitje vazhdimisht është shumë i shpejtë, ka teknikë shumë të mirë. Sa me më shumë akull të jetë shtegu, sa më mirë të jetë i përgatitur ai, Albani është më i shpejtë. Për shkak të klimës në vitet e fundit jo gjithnjë shtigjet janë përgatitur si duhet. Por Albani tashmë po është i shpejtë në secilin lloj të borës”, ka thënë Adnan Elezi të mërkurën në mëngjes.
Ai është i bindur se sukseset e skitarit do të jenë edhe më të mëdha, nëse ka shëndetin dhe fatin. Ka treguar se dy vjet më parë e ka munduar një lëndim dhe ia ka pamundësuar të përgatitet si duhet. Ka mbetur të caktohet vetëm edhe një vend në ekipin olimpik të Francës për Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026”. Gjasat janë të mira që të përzgjidhet Albani.
Adnan Elezi është prej mundësve të dalluar shqiptarë. Kishte medalje në Lojërat Mesdhetare, Ballkanike mbi 20 herë ishte kampion i Jugosllavisë. Në Francë është vendosur në vitin 1992. Edhe nëna e Albanit është ish-mundëse./Koha.net/








