Skuadra e njohur e kërkon djalin e Ancelottit për trajner
Skuadra e njohur e kërkon djalin e Ancelottit për trajner

Botafogo ka zyrtarizuar shkarkimin e trajnerit Renato Paiva pas rezultateve të dobëta në Kupën e Botës për Klube. Vendimi është marrë nga pronari i klubit, sipërmarrësi amerikan John Textor, i cili është shprehur i zhgënjyer me paraqitjet e fundit të skuadrës kampione të Amerikës së Jugut.
Në media ka nisur të qarkullojë me insistim emri i Davide Ancelottit si kandidat për të marrë drejtimin e ekipit. Djali i trajnerit legjendar Carlo Ancelotti, aktualisht është pjesë e stafit teknik të kombëtares braziliane, ku ndihmon babain e tij, që prej një muaji është në krye të Seleçaos.
Sipas burimeve pranë klubit, tashmë ka pasur kontakte të para me Ancelottin dhe Botafogo është i gatshëm të diskutojë me Federatën Braziliane të Futbollit (CBF) për mundësinë që ai të mbajë njëkohësisht dy pozitat: trajner i Botafogos dhe ndihmës i kombëtares.
Drejtuesit e klubit nga Rio de Janeiro e mbështesin këtë ide me precedentë të ngjashëm, siç ishte rasti i Taffarelit, që njëkohësisht shërbente si trajner portierësh i Liverpoolit dhe i Brazilit, apo mjeku Rodrigo Lasmar, që vazhdon të jetë pjesë e stafit mjekësor të Atletico Mineiros dhe kombëtares.
Megjithatë, vetë Davide Ancelotti, i cili ka përvojë si ndihmës te Bayern Munich, Napoli, Everton dhe Real Madrid, së fundmi është shprehur se dëshiron të përqendrohet te projekti i Seleçaos dhe objektivi madhor për të fituar Kupën e Botës.
Pavarësisht kësaj, Botafogo duhet të veprojë shpejt për të emëruar trajnerin e ri, pasi të shtunën do të luajë një ndeshje shumë të rëndësishme: derbin e qytetit kundër Vasco da Gama, e vlefshme për javën e 13-të të kampionatit brazilian ‘Brasileirão’.