Sllaveski thotë se ka një zgjidhje për tarifat noteriale, komenton vendimin e ministrit të Drejtësisë

Sllaveski thotë se ka një zgjidhje për tarifat noteriale, komenton vendimin e ministrit të Drejtësisë

Ish-ministri i Financave Trajko Sllaveski thotë se ka një zgjidhje për tarifat noteriale që po i dëmtojnë qytetarët çdo ditë e më shumë, shkruan Alsat.

Duke komentuar anulimin e vendimit për rritjen dhjetëfish të shërbimeve noteriale nga ministri i drejtësisë Filkov, vendim ky i marrë në mënyrë të fshehtë nga ish ministri Lloga, Sllaveski thotë se zgjidhja do të ishte ulja e shërbimeve deri në 50% dhe miratimi i një rregullore të re që do të amnistonte të gjithë noterët që konfirmojnë se e kanë blerë licencën dhe se kujt ia kanë dhënë paratë.

Ish ministri i Financave Sllaveski thotë se  licencat e noterëve, me ndërmjetës, shiteshin për shuma që kapnin qindra mijëra euro, dhe një zot e di se kush i ka përvetësuar ato para.

“I njëjti “përfitim” vlen edhe për poseduesit e licencës, të cilët kanë paguar më parë mundësinë për të hapur një zyrë noteriale, dhe nuk e kanë kthyer ende “investimin” e tyre (ryshfetin). Pra, ajkën ta mbledhë ai që ka dhënë licencën, ndërsa “shkopin” ta hajë ministri i ri i Drejtësisë, d.m.th. qeveria e re, për shkak të revoltës nga çmimet e larta të shërbimeve noteriale me hyrjen në fuqi të rregullores së re nga shtatori”, ka thënë Sallevski

Sipas Sllaveskit, ka një mënyrë për të qenë më të zgjuar se krijuesit e skemës së korrupsionit.

“Propozimi im është ky: çmimet e shërbimeve noteriale të ulen me të paktën 50%, e vlefshme deri në fund të vitit. Të miratohet një rregullore ligjore e cila t’i amnistojë të gjithë ata noterë që konfirmojnë se e kanë blerë licencën në mënyrë ligjore dhe të tregojnë se kujt ia kanë dhënë paratë. Krijuesit e kësaj skeme të turpshme korruptive të dalin para drejtësisë”, shton ai.

Sllaveski thotë se nga fondet e mbledhura me konfiskimin e pasurisë së tyre, mund të kompensohen noterët që ndihmuan në zbardhjen e korrupsionit në rastin e dhënies së licencave të noterëve.

Deri tani nuk ka një reagim nga ish ministri i drejtësisë Lloga, për vendimin e marrë në muajin shkurt, ndërkohë që në fletoren zyrtare kanë kaluar më 11 qershor, me fuqi nga data 1 shtatori.

Një ditë më parë, ministri aktual Filkov, duke shpallur anulimin e këtij vendimi, i marrë pa një analizë serioze, tha se është gatshëm të hap debat për këtë çështje, në mënyrë që të mos dëmtohen as qytetarët dhe as noterët. Megjithatë, në komunikimin me gazetarët, Filkov përjashtoi mundësinë e hetimit të dhënies së licencave në 4 vitet e fundit nga ministria e Drejtësisë.

Me ndryshimin e rregullores për çmimet noteriale, nuk kanë ndryshuar kushtet për marrjen e licencës për noter edhe pse një gjë e tillë ishte paralajmëruar nga Qeveria e kaluar në kuadër të debatit për ndryshimet ligjore në Ligjin për Noterë dhe Ligjin për Përmbaruesit./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button