Sllovenia do të organizojë samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha ka paralajmëruar se gjatë kryesimit të vendit të tij me Bashkimin Evropian, do ta kthejë fokusin nga procesi i zgjerimit dhe nga Ballkani Perëndimor.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, Jansha tha se zgjerimi i BE-së është përgjigja më e mirë strategjike ndaj sfidave me të cilat përballet Evropa.

I pyetur rreth ideve për ndryshimin e kufijve në Ballkan, kryeministri slloven tha se “përgjigja më e mirë ndaj çështjes së kufijve është perspektiva e anëtarësimit në BE”, që sipas tij, e bën çështjen e kufijve më pak të rëndësishme.

Jansha ishte në krye të Qeverisë së Sllovenisë edhe në vitin 2008, kur ky shtet për herë të parë kishte marrë kryesimin e BE-së. Ai tha se që nga zgjerimi i madh i BE-së, kur shteti i tij u bë anëtar i bllokut evropian, e deri më sot, vetëm një shtet ka arritur të integrohet në BE (Kroacia, më 2013) dhe kjo dëshmon se zgjerimi është në fund të prioriteteve të BE-së. Jansha tha se Sllovenia dëshiron ta ndryshojë këtë gjë gjatë gjashtë muajve të kryesimit të Këshillit të BE-së.

LEXO EDHE:

Back to top button