Sllovenia nën ujë, 500 persona janë evakuar mbrëmë

Sllovenia nën ujë, 500 persona janë evakuar mbrëmë

Pas stuhisë në Slloveni, situata është ende kritike në disa pjesë të vendit. Në komunën e Chrenshovcit, në afërsi të fshatit Dolna Bistricë, një pjesë e argjinaturës ka lëshuar rrugën dhe, ndonëse zjarrfikësit kanë arritur të devijojnë ujin, sirenat kanë rënë sërish mbrëmë dhe është urdhëruar evakuimi i rreth 500 personave, raporton N1 Slloveni.

Ndërkohë gjatë natës lumi Mura ka filluar sërish të ngrihet dhe komandanti i njësisë lokale të zjarrfikësve Miroslav Vuk ka deklaruar se “të gjitha mundësitë janë të hapura në drejtim negativ”. Gjatë natës së kaluar zjarrfikësit kanë arritur të mbulojnë pjesërisht hapjen e argjinaturës me blloqe betoni, ndaj rrjedha e shpejtë është ndalur disi. Por Vuk thotë se ata po bëhen gjithnjë e më të pafuqishëm.

Nga ana tjetër, hapja që ka bërë Mura në digë sa vjen e shtohet, ndaj autoritetet frikësohen se nëse uji fillon të bartë dheun, diga do të shembet dhe vala e ujit do të përfshijë një duzinë fshatrash. Mura, sipas tyre, ka arritur nivelin më të lartë në dekadat e fundit. Departamenti i parashikimeve hidrologjike i Agjencisë Sllovene të Mjedisit (ARSO) pret që rrjedha e tij të stabilizohet në orët në vijim, por ende nuk do të ulet.

LEXO EDHE:

Back to top button