Sofja zyrtare do vazhdojë t’i mbështesë klubet bullgare

Sofja zyrtare do vazhdojë t’i mbështesë klubet bullgare

Sofja zyrtare do të mbështesë klubet kulturore bullgare në vend, pavarësisht vendimeve që do marrin. Nga Ministria e Punëve të Jashtme bullgare informojnë se ka dy mundësi – klubet të ndryshojnë emrat ose të kërkojnë drejtësi përmes gjykatave. Nga Sofja më herët theksuan se ndryshimet e reja në Ligjin për Shoqatat shkelin të drejtën e grumbullimit. Ata nuk besojnë se do ndryshojë diçka paralajmërimi se ndryshimet ligjore do të dërgohen në Komisionin e Venecias.

“A do të mundet Komisioni i Venecias të pengojë përmbushjen e ligjit – praktikisht jo, sepse vendimet e Komisionit të Venecias janë këshillimore dhe jo të detyrueshme. Gjithashtu, një Qeveri e përgjegjshme, kur synon të kërkojë një mendim nga Komisioni i Venecias, duhet ta bëjë këtë tani, kur është ende projektligj dhe jo kur ligji të miratohet”, deklaroi Zheljazko Radukov – kryeekspert i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë.

Nga ana tjetër, ekspertët vendas besojnë se Komisioni i Venecias do ta konfirmojë tekstin e miratuar të ligjit. Sipas akademikut Vllado Kambovski, ky komision nuk do të dalë kundër ndalimit të shoqatave që përhapin urrejtje nacionale.

“Pres që Komisioni i Venecias të konfirmojë qëndrimin e tillë. Nuk besoj se ajo do thotë “po, ju mund të krijoni shoqata që do të përhapin urrejtje apo mostolerancë nacionale”. Asnjë vend në botë nuk e lejon këtë. Ajo është kundër të gjitha standardeve dhe normave ndërkombëtare”, u shpreh Vllado Kambovski – akademik.

Nga Qeveria ditë më parë thanë se teksti i ligjit do t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Bashkimi Evropian dhe nuk presin korrigjime shtesë. Teksti i ri i ligjit u miratua në Kuvend me mbështetjen e deputetëve të shumicës dhe opozitës. Ligji parasheh që klubet me emra të diskutueshëm, si “Ivan Mihajllov” dhe “Car Boris III”, të riemërohen./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button