“Softuerët”, Rashkovski foli për rëndësinë e sistemit dhe përfitimet

“Softuerët”, Rashkovski foli për rëndësinë e sistemit dhe përfitimet

Gazetar: Ardit Ramadani

Në mungesë të prokurores Ivana Trajçeva, zëvendësja e saj e mori në pyetje ish sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski në lidhje me lëndën “Softuerët”. Ai gjatë gjithë seancës ka folur për përfitimet e mundshme të softuerëve, të cilat i kishte porositur por para mediave, nuk tha asnjë fjalë për mënyrën e blerjes së tyre.

“Qëllimi i daljes sime sot në seancë ishte që të tregoj se cilat janë përfitimet e këtyre sistemeve të cilat i kemi porositur. Nuk përbën ndonjë shumë që e ka ngarkuar shtetin, absolutisht është jashtë 2,3 për qindit që për të njëjtin qëllim shfrytëzohen në botë, për krahasim, sistemi biometrik për identifikim të cilin e kemi krijuar ne në Qeveri, është i njëjti për të cilin Britania e Madhe ka harxhuar 14 miliona paund”, deklaroi Dragi Rashkovski, i akuzuar.

Rashkovski shtoi se përmes sistemit për siguri në komunikacion që kishte tentuar ta vendosë, do të shpëtoheshin shumë jetë njerëzish.

“Sistemi për komunikacion që duhej ta finalizonim deri në fund, kishte për qëllim të shpëtojmë 50 për qind të viktimave, dy të tretat e të lënduarve dhe para se gjithash, edhe pse çdo jetë është e rëndësishme, si arsye kryesore për vdekjen e fëmijëve nga mosha 10 deri në 19 vjet janë aksidentet rrugore”, tha Dragi Rashkovski, i akuzuar.

Megjithatë ekspertët më herët kishin deklaruar se softueri aspak nuk do të kishte mundësi të aktivizohet si dhe ishin publikuar porositë e të akuzuarit Rashkovski me përfaqësues të kompanisë “Invoka Grup” që kishte fituar tenderin për këtë. Rashkovskit më 16 prill të vitit të kaluar i ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak, e cila iu ndërpre pak muaj më vonë pasi Apeli pranoi garancinë prej 192 mijë eurove. Sot ka përfunduar dhënia e dëshmive materiale nga ana e mbrojtjes. Ai akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe pastrim parash. Përkatësisht, prokuroria pretendon se ai ka keqpërdorur detyrën zyrtare me furnizim të softuerit për shkelje në trafik. Në këtë lëndë të akuzuar janë edhe 6 persona tjerë. Rashkovski përmes deklaratave sot tentoi t’i mbrojë edhe ata. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button