Sot Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Gruas
Sot Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Gruas
Vendi më i rrezikshëm për femrat, sipas statistikave të OKB, është shtëpia e tyre. Edhe në Gjermani dhuna ndaj gruas është prezente. Gati çdo ditë një femicid, sipas statistikave.
Dhuna ndaj grave është një problem global. OKB vlerëson se deri në 70 për qind e grave vuajnë nga dhuna seksuale, fizike ose psikike të paktën një herë në jetën e tyre. Dita e 25 Nëntorit konsiderohet si ditë aksioni kundër dhunës ndaj grave dhe kërkon të tërheqë vëmendjen kudo në botë për dhunën ndaj tyre. Synimi është denoncimi i dhunës në familje, si edhe dhuna kundër gruas në luftëra apo kur janë në arrati. Protesta e grave sot drejtohet kundër abuzimit dhe përdhunimit, kundër martesave të detyruara dhe prostitucionit të detyruar.
Në vitin 2022, 48.800 gra në botë prej tyre u shuan nga kjo dhunë, sipas OKB. Edhe në Gjermani gati çdo ditë një grua vritet nga partneri,sipas autoriteteve. Çdo tre minuta një grua apo një vajzë përjeton dhunë.
Dhuna ndaj grave në Gjermani
Dhuna ndaj grave vazhdon të rritet edhe në Gjermani. Këtë e tregon raporti aktual i situatës mbi dhunën ndaj gruas i titulluar “Krimet specifike gjinore ndaj grave në vitin 2023”. Raporti i prezantuar nga Zyra Federale e Kriminalistikës javën e kaluar shfaqet për herë të parë në këtë formë, pasi ai përmban të dhëna edhe për krimet ndaj grave për shkak të paragjykimeve ndaj tyre, si dhe shifra për krimet që kryhen kryesisht në dëm të grave. 322 krime si pasojë e paragjykimeve kundër gruas u regjistruan nga policia vitin e kaluar si dhe 938 delikte të vrasjes së grave, 9 më shumë se në vitin 2022.
“Dhuna ndaj grave na prek të gjithëve. Ne shohim një femicid në Gjermani pothuajse çdo ditë. Çdo tre minuta një grua apo vajzë në Gjermani përjeton dhunë në familje. Çdo ditë më shumë se 140 gra dhe vajza në Gjermani bëhen viktima të një krimi seksual. Ato bëhen viktima sepse janë gra. “Kjo është e padurueshme – dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm,” u shpreh ministrja e Punëve të Brendshme, Nancy Faeser gjatë prezantimit të raportit të situatës aktuale në këtë drejtim nga Zyra Federale e Kriminalistikës.
Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj gruas u thirr për herë të parë në vitin 1981 nga gratë në Karaibe dhe Amerikën Jugore. Gratë përkujtuan me këtë ditë tre motra që jetonin në Republikën Domenikane që u rrëmbyen, përdhunuan dhe u vranë. Patricia, Minerva dhe Maria Teresa Mirabal vdiqën më 25 nëntor 1960 nga dhuna e ushtarëve të regjimit famëkeq Trujillo, i njohur si regjim diktatorial dhe brutal. Në vitin 1999 kjo ditë aksioni u njoh zyrtarisht nga OKB. Në deklaratat ndërkombëtare dhuna ndaj gruas sot klasifikohet si shkelje e të drejtave të njeriut.