Deklan Rajs do të kompletojë transferimin tek Arsenali, pasi “Topçinjtë” më në fund kanë siguruar marrëveshje me vlerë deri në 120 milionë stërlina. Sipas “Sky Sports”, mesfushori anglez është gati për ta përmbyllur lëvizjen e tij në “Emirates”.
Uest Ham po bëhej gjithnjë e më i paduruar me vonesën në përfundimin e procedurave, por saga është gati të përfundojë sot përfundimisht. Vonesa ndodhi pasi avokatët e Arsenalit morën kohën e tyre për të hartuar kontratën. “Hammers” ishin të prirur për ta nënshkruar marrëveshjen, pasi ranë dakord për tarifën e transferimit.
Rajs ka kaluar tashmë testet mjekësore dhe pavarësisht nga pushimet në Portugali, ka punuar shumë për gjendjen e tij fizike, pasi duket të jetë në formën më të mirë të mundshme. Pra, nuk ka dyshime për këtë pjesë kur t’iu bashkohet bashkëlojtarëve të rinj në “Emirates”. Nëse lëvizja zyrtarizohet sot, Rajs ka të ngjarë të fluturojë për në SHBA me pjesën tjetër të skuadrës së Arsenalit për angazhimet parasezonale.








