Sot nis edicioni i ri i Ligës Evropa, derbi në Zagreb, Braga dhe Sevilja
Sot nis edicioni 2025/26 në Ligën Evropa, me nëntë ndeshje që luhet sot dhe nëntë tjera gjatë ditës së enjte në kuadër të xhiros së parë të garës kampionale.
Pas emocioneve që solli Liga e Kampionëve gjatë javës së kaluar me ndeshjet e xhiros së parë, tani radhën e ka gara e dytë më e mirë për klubet evropiane. Edhe këtë edicion ndeshjet e Ligës së Evropës do të luhen në dy orare, me ndeshjet e para që fillojnë në orën 18:45 dhe ato të dytat nga ora 21:00.

Ndeshjet më interesante të ditës së sotme llogariten të jenë: Dinamo Zagreb-Fenerbahçe, Braga-Fejnord dhe Real Betis-Notingam Forest.
Në takimet tjera të ditës së sotme, Roma luan në udhëtim te Nica, Malme pret Ludogorecin, Frajburgu është nikoqir i Bazellit, Seltiku luan në udhëtim te Crvena Zvezda, PAOK-u e pret Makabi Tel Avivin dhe Mitilandi përballet me Shturm Gracin.
Vlen të theksohet se sezonin e kaluar, ky trofe u fitua nga Totenham Hotspuri, i cili në finale mposhti Man. Junajtedin dhe siguroi një vend në Ligën e Kampionëve.







