Spanjë, infeksionet me COVID-19 rriten 250 për qind brenda një jave

Infeksionet me COVID-19 kanë vazhduar të rriten në mënyrë shumë të shpejtë në Spanjë, ku të dhënat e fundit raportuan 72.912 raste të reja.

Kjo është dita e tretë radhazi që vendi arrin një numër rekord të infeksioneve ditore. Të martën vendi regjistroi 49.800 infeksione, ndërsa të mërkurën 60.000 infeksione.

Infeksionet ditore janë rritur mbi 250 për qind që prej së enjtes së kaluar, për shkak se varianti më ngjitës i koronavirusit, Omicron po bëhet dominues, kur vendi regjistroi më pak se 29.000 infeksione ditore.

Infeksionet që po thyejnë rekorde përkojnë me një nga periudhat më sociale të vitit, përkatësisht sezonin e Krishtlindjeve.

Përballë kësaj skene shpërthyese, qeveria e Spanjës urdhëroi nga e premtja, mbajtjen e maskës në ambjentet e jashtme në qytete ose në ambjente të mbushura me njerëz.

Dje, një gjykatë miratoi kërkesën e qeverisë katalanase për të ndërmarrë masat më të rrepta kundër pandemisë, një shtetrrethim brenda natës dhe një kufizim i grumbullimeve prej dhjetë personash.

Rajonet Murcia dhe Cantabria po ashtu njoftuan se do të kufizojnë aktivitetet gjatë natës.

Qytete të tjera të Spanjës po mbështeten në mbajtjen e maskës, vaksinimin dhe çertifikatat e vaksinimeve për të përmirësuar situatën pandemike.

Pavarësisht se Spanja është një lider evropian për sa i përket vaksinimit kundër COVID-19, me 90 për qind të personave më të mëdhenj se 12-vjeç të vaksinuar plotësisht dhe 45 për qind të atyre më të vjetër se 40-vjeç të vaksinuar edhe me një dozë të tretë përforcuese, shtrimet në spital dhe vdekjet nga virusi vazhdojnë të jenë në rritje.

Dje, Spanja raportoi edhe 82 vdekje të tjera nga COVID-19.

Edhe shtrimet në spital po rriten në mënyrë të qëndrueshme, 16,27 për qind e njësive të kujdesit intensiv aktualisht janë të zëna. Kjo shifër është shumë më e ulët se në valët e mëparshme të koronavirusit, por numri i rasteve aktualisht është shumë më i lartë.

Kujdesi parësor ka qenë më i prekuri deri më tani, pasi mjekët nuk kanë qënë në gjendje për të përballuar rritjen e numrit të pacientëve me COVID-19, gjurmimin e kontakteve, testimin dhe infrastrukturën e mbingarkuar.

LEXO EDHE:

Back to top button